Ligj i ri për OJF-të – Ministria: Ulen kostot e regjistrimit, monitorim për rrezikun e pastrimit të parave
Ministria e Drejtësisë ka nxjerrë për konsultim public një Projektligj që parashikon uljen e kostove dhe lehtësimin e procedurave të regjistrimit të OJF-ve në vend, por edhe një monitorim më efektiv të tyre për parandalimin e riskut të pastrimit të parave përmes këtyre organizatave.
Në relacionin shoqërues të draftit, Ministria thekson se Procedurat e regjistrimit dhe ç’regjistrimit të parashikuara në Ligjin aktual “Për regjistrimin e organizatave jofitimprurëse” nuk krijojnë një mjedis mundësues për OJF-të në Shqipëri. Drafti synon, ulje të barrës së regjistrimit të këtyre organizatave pranë Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Tiranë e cila do të lehtësojë procedurën e aplikimit për regjistrim, por edhe kostot që aktualisht variojnë nga 250 në 300 euro.
Ndërkohë që risia më e madhe e projektligjit është krijimi I regjistrit elektronik të OJF-ve, i cili do të bëjë të mundur monitorimin e financave të tyre. Nga Komiteti i Ekspertëve për Vlerësimin e Masave kundër pastrimit të parave dhe financimit të terrorizmit (MONEYVAL) është vlerësuar se vendi ynë nuk ka ndonjë politikë të qartë për të promovuar llogaridhënien, integritetin dhe besimin publik në administrimin dhe menaxhimin e OJF-ve, duke patur një qasje të kufizuar ndaj sektorit të OJF-ve dhe komunitetit të donatorëve për çështjet e financimit nga terrorizmi. Në raport cilësohet ndër të tjera se nuk ka asnjë dokument mbi praktikat më të mira që të jetë hartuar nga Shqipëria me përfshirjen e OJF-ve, si dhe nuk janë ndërmarrë hapa për promovimin, mbikëqyrjen e riskut ose monitorimin e OJF-ve. “Prandaj kjo nismë sigurisht vjen edhe nga rëndësia e përmbushjes së Rekomandimeve të Komitetit të Ekspertëve të MONEYVAL lidhur me këtë fushë?, thekson në relacionin shoqërues të draftit Ministria e Drejtësisë.
Lorenc Rabeta / SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.