Ligj i veçantë për kontratën e Skavicës – Marrëveshje direkte me kompaninë Bechtel, pr.ligji: S’ka shkelje të Kodit Zgjedhor
Këshilli i Ministrave ka depozituar në Kuvend një projektligj, që ka për qëllim miratimin e një procedure të veçantë për negocimin dhe ekzekutimin e kontratës me kompaninë “Bechtel Internacional”, Inc., për projektimin dhe ndërtimin e hidrocentralit të Skavicës. Hartimi i këtij projektligji vjen pas memorandumit të mirëkuptimit ndërmjet Ministrisë së Infrastrukturës dhe Energjisë dhe kësaj kompanie, nënshkruar më 3 tetor 2020.
Ndërkohë që, sipas projektligjit kontrata do të ndahet në dy faza. Kontrata e fazës së parë, do të përfshijë aktivitetet paraprake të punës që do t’i mundësojnë Bechtel të paraqesë një propozim tek Autoriteti Kontraktues për projektimin dhe ndërtimin e këtij hidrocentrali, si dhe të ndihmojë ministrinë dhe qeverinë shqiptare në sigurimin e mbështetjes financiare për projektin. Ndërkohë që, kontrata e fazës së dytë që konsiston në projektimin dhe ndërtimin e hidrorocentralit të Skavicës. Në relacionin që shoqëron projektligjin, sqarohet se ai nuk bie në kundërshtim me Kodin Zgjedhior, që ndalon nënshkrimine kontratve përpara zgjedhjeve të 25 prillit, pasi procesi ka nisur që në datën 20 tetor si dhe nuk bëhet fjalë për një koncesion apo parteneritet publik privat, por për një kontraktim direkt.
Për HEC Skavica, që është pjesë e Kaskadës së Drinit, aktualisht ka përfunduar studimi i fizibilitetit, teksa në tavolinë janë 2 variante, që parashikojnë madhësi të ndryshme të veprës. Alternativa A parashikon një HEC me fuqi të instaluar prej 120 MW dhe me kosto prej 308 mln euro, nga të cilat rreth 250 mln euro do të shkojnë për ndërtimin e hidrocentralit dhe rreth 50 mln euro të tjera shkojnë për shpronësime dhe ndërtime të tjera infrastrukturore. Ndërkaq, sa i takon alternativës B, parashikohet ndërtimi i një HEC-i me fuqi të instaluar 210 MW, ndërsa kosto e kësaj alternative është 510 mln euro. Më konkretisht, rreth 350 mln euro shkon ndërtimi i veprës dhe rreth 150 mln euro është llogaritur kosto e shpronësimeve dhe infrastrukturës.
Ola Mitre / SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.