Ligj për kompanitë offshore – Gati regjistri ku do depozitohen kompanitë dhe pronarët nga parajsat fiskale
Ministria e Financave do të zbardhë të gjithë emrat dhe pronarët e kompanive të regjistruara në parajsat fiskale me aktivitet në Shqipëri. Emrat do të pasqyrohen në një regjistër ku do të listohen fillimisht pronarët që zotërojnë 25% të kapitalit të aksioneve, kufi që mund të ulet më pas në 10%. Të dhënat e regjistrit do të jenë të aksesueshme nga publiku, siç veprohet me kompanitë e regjistruara në Qendrën Kombëtare të Biznesit, ku depozitohen të gjitha detajet e aktivitetit, nga data e krijimit, adresat, aksionerët, përqindja e tyre, administratorët apo bilancet.
Në regjistër, i cili do të krijohet përmes një ligji të posaçëm, do të depozitohen edhe origjina e llogarive bankare, informacion që do aksesohet vetëm nga disa institucione dhe jo nga publiku.
Ndryshimet ligjore vijnë në një moment debatesh të nxehta mbi kompanitë e regjistruara në parajsat fiskale që operojnë në Shqipëri, të shkaktuara nga skandali i shoqërisë DH Albania, e cila përmes falsifikimit të dokumentave arriti të fitonte dy tendera me vlerë rreth 30 milionë euro. ndërkohë që më herët kanë qenë shoqatat e biznesit që kanë kërkuar përjashtimin me ligj të kompanive me origjinë në parajsat fiskal nga tenderat publike.
Lorenc Rabeta/SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.