Ligji i ri, gjobat për subjektet që dëmtojnë “zonat e mbrojtura” – Vlera që paguhet kur s’jeni pajisur me leje mjedisi
Është depozituar në Kuvend para pak kohësh ligji i ri për zonat e mbrojtura. Ky ligj ka si qëllim të sigurojë mbrojtje të veçantë të zonave të mbrojtura dhe përbërësve të rëndësishëm të biodiversitetit dhe të natyrës.
Konkretisht, do të bëhet e mundur shpallja e zonave të mbrojtura, me rëndësi të veçantë për vlerat e tyre natyrore, ekonomike apo sociale, si pjesë e trashëgimisë natyrore dhe kulturore. Ndër të tjera në këtë projektligj synohet të krijohet lehtësim i kushteve për zhvillimin e qëndrueshëm, për informimin dhe edukimin e publikut për gjendjen dhe dobishmërinë e zonave të mbrojtura.
Pas miratimit të këtij projektligji dhe me hyrjen e tij në fuqi do të përcaktohet qartë shpallja së një zone të mbrojtur pasi të jetë realizuar dhe marrë vendimi i KKT-së.
“Risi tjetër që synon të sjellë projektligji është krijimi i Agjencisë Kombëtare të Zonave të Mbrojtura, si autoriteti shtetëror qendror i cili do të bëjë administrimin e zonave të mbrojtura. Aktualisht, kjo agjenci është krijuar, por duke qenë se nuk parashikohet në ligjin në fuqi për zonat e mbrojtura, si bazë ligjore për të ka shërbyer ligji “Për mbrojtjen e Mjedisit” i cili është një ligj kuadër për fushën e mjedisit dhe detajohet më pas në ligje sektoriale. Me anë të këtij projektligji bëhet një ndarje me qëllim administrimin më të efektshëm të të gjitha sipërfaqeve të zonave të mbrojtura, pasi projektligji parashikon edhe kurorat e gjelbra brenda sipërfaqeve administrative të bashkive”, thuhet në relacionin e projektligjit.
Në një seksion të veçantë në relacion paraqiten objektivat e shpalljes së territoreve si zona të mbrojtura, procedura e shpalljes së zonave të mbrojtura, kriteret për shpalljen e një zone të mbrojtur, zonimi i territorit të zonës së mbrojtur kombëtare, ku zonimi i brendshëm përmban:
a) zonën qendrore,
b) zonën e përdorimit tradicional;
c) zonën e rekreacionit;
ç) zonën e zhvillimit të qëndrueshëm;
d) zonën buferike.
Gjithashtu përcaktohen kategoritë e zonave të mbrojtura duke i trajtuar më pas në mënyrë më të shtjelluar të gjitha karakteristikat e menaxhimit të secilës prej tyre. Kategoritë e zonave të mbrojtura janë:
a) “Rezervë strikte natyrore/rezervat shkencor (Kategoria I)”;
b) “Park Kombëtar (kategoria II)”;
c) “Monument natyror (kategoria III)”;
ç) “Rezervat natyror i menaxhuar (kategoria IV)”;
d) “Peizazh i mbrojtur (kategoria V)”;
dh) “Zonë e mbrojtur e burimeve të menaxhuara (kategoria VI)”
e) “Park natyror”
ë) “Kurorë e gjelbër (kategoria IV)”.
Gjobat kur dëmtohen zonat e mbrotjura
Ligji i ri thekson gjithashtu edhe gjobat që vendosen për subjektet që dëmtojnë zonat e mbrojtura. Kur shkeljet nuk përbëjnë vepër penale, por përbëjnë kundërvajtje administrative, të cilat grupohen, si më poshtë:
a) Për ndotjen dhe dëmtimin e zonës së mbrojtur nga shkarkimet mbi normë të veprimtarive që zhvillohen jashtë zonës, por në afërsi të saj, subjekti dënohet me gjobë nga 100 000 deri në 300 000 lekë.
b) Për zhvillimin në zonë të veprimtarive që nuk janë pajisur me leje mjedisi, subjekti dënohet me gjobë nga 1 000 000 deri në 2 000 000 lekë;
c) Për mospërmbushje dhe mosrespektim të kërkesave, parimeve dhe kushteve të lejes përkatëse të mjedisit sipas parashikimeve të këtij ligji, subjekti dënohet me gjobë nga 500 000 deri në 1 000 000 lekë.
ç) Për dëmtim të zonave të mbrojtura nga pronarët e pasurive private që ndodhen brenda zonës, subjekti dënohet me gjobë nga 50 000 deri në 80 000 lekë.
d) Për dëmtim të zonave të mbrojtura nga përdoruesit e zonës, me gjobë nga 50 000 deri në 80 000 lekë.
Vlerësimi i dëmit
Personi juridik ose fizik, publik ose privat, që dëmton ose rrezikon dëmtimin me anë të veprimit apo mosveprimit të tij të një zone apo një pjesë të një zone të mbrojtur sipas kuptimit të këtij ligji, përgjigjet për dëmtimet, si dhe përballon kostot e riparimit të dëmit e të rehabilitimit të zonës e të kthimit të saj në gjendjen e mëparshme.
Kryerja e vlerësimit të dëmit të shkaktuar në zonë të mbrojtur mjedisore është detyrë e administratës së zonës së mbrojtur.
Vlera e dëmit të shkaktuar në zonat e mbrojtura mjedisore, mënyra e vlerësimit, mbledhjes dhe administrimit të saj përcaktohen me vendim të Këshillit të Ministrave, me propozim të ministrit.
Osman Dedja/SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.