Ligji i ri për Policinë Gjyqësore – Hysi: Jo më rekrutime pa konkurs, ekspertët e SPAK status e varësi të veçantë
Komisioni Parlamentar i Sigurisë ka shqyrtuar të martën ligjin e ri për policinë gjyqësore, i cili sjell ndryshime thelbësore në mënyrën si do funksionojë kjo strukturë, detyrat, mënyra e rekrutimit, varësinë e deri te pagat e reja.
Drafti me ndryshimet u paraqit para deputetëve nga Nënkryetarja e Kuvendit Vasilika Hysi, e cila e vuri theksin te nevoja që në këtë trupë policët të zgjidhen me konkurs dhe varësia te një Komision i posaçëm i krijuar për këtë qëllim.
Ajo theksoi se jashtë kësaj strukture do të mbeten policët gjyqësorë të SPAK, të cilët do të kenë status tjetër e do të trajtohen me paga më të larta.
Pikë e debatuar e draftit janë pagat e reja, duke qenë se përfaqësuesit e policisë gjyqësore kanë kërkuar që ato të jenë sa 70% e pagave të prokurorëve, ndërkohë që Ministria e Financave propozoi që ky nivel të jetë jo më i lartë se 10%.
Lorenc Rabeta/SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.