Ligji për kamerat e sigurisë, publikohen udhëzimet! Si veprohet me ankimimet dhe si do të inspektohen subjektet publike e private
Ministria e Brendshme ka miratuar dy udhëzimet përkatëse në kuadër të ligjit të ri për masat shtesë të sigurisë publike, që detyron subjektet publike e private qëtë vendosin sisteme sigurie. Udhëzimi i parë që është botuar në Fletoren Zyrtare është ai për ngritjen e Komisionit të Shqyrtimit të Ankesave, në Drejtorinë e Policisë së Shtetit. Ky komision do të drejtohet nga Zëvendësdrejtori i Policisë së Shtetit dhe do të ketë si anëtarë drejtorin e Drejtorisë Juridike në Policinë e Shtetit, shefin e Sektorit për Krimet e Pronës, shefin e Sektorit të Policimit në Komunitet, si dhe specialistin në Sektorin ndaj të Tretëve.
Komisioni i Shqyrtimit të Ankesave ka në kompetencë shqyrtimin e ankimeve të paraqitura nga subjektet publike dhe private, për gjobat që vendosen nga Policia e Shtetit, ndaj këtyre subjekteve, për moszbatimin e masave shtesë të sigurisë, sipas llojit të masës, në varësi të aktivitetit që kryejnë dhe vlerësimit të rrezikut si dhe për heqjen e “Vërtetimit të sigurisë”. Referuar udhëzimit, ankimet e subjekteve publike dhe private administrohen nga specialisti në sektorin ndaj të tretëve.
Kundër vendimit të Komisionit të Shqyrtimit të Ankesave bëhet ankim në Gjykatën Administrative të Shkallës së Parë. Ndërsa udhëzimi i dytë parashikon rregullat për kryerjen e inspektimeve nga policia për monitorimin e përmbushjes së masave shtesë të sigurisë publike.
Referuar udhëzmit, Policia e Shtetit, nëpërmjet strukturave të saj, do të kryejë inspektime në të gjithë territorin e Republikës së Shqipërisë, për monitorimin e përmbushjes së masave shtesë të sigurisë, nga subjektet publike dhe private, në varësi të llojit dhe nivelit të masës së sigurisë, të përcaktuar nga komisioni i vlerësimit të masave të sigurisë.
SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.