Ligji për teatrin kombëtar – Ahmetaj: Asnjë qindarkë nga buxheti. Berisha: Akt mafioz, të anulohet
Ka nisur me tension seanca plenare ku do të diskutohej projektligji për Teatrin Kombëtar. Deputetët e opozitës akuzuan ministren e Kulturës, Mirela Kumbaro se nuk iu dha përgjigje pyetjeve të ngritura prej tyre, ndërkohë që pas një ndërprerjeje të seancës ishte ministri i Ekonomisë dhe Financave, Arben Ahmetaj që mori përsipër të përgjigjej.
Në mbrojtje të projektligjit të posaçëm për përcaktimin e procedurës që do të ndiqet, Ahmetaj tha se teatri i ri do të ketë në funksion të tij 9000 m katror tokë, nga 1126 m që ka aktualisht, ndërkohë që buxheti i shtetit nuk do të harxhojë asnjë para’ për ndërtimin e ri.
Në përgjigje të ministrit, ish-Kryeministri Sali Berisha kërkoi anulimin e menjëhershëm të këtij akti, të cilin e cilësoi si mafioz. Ndërkohë që, deputetja e PD-së, Albana Vokshi tha se kompania koncesionare do të përfitojë 205 mln euro.
Ndërkaq, deputetja e LSI Kejdi Mehmetaj kërkoi që informacioni i publikuar nga Ahmetaj t’u vihet me shkrim në dispozicion të gjithë deputetëve, ndërsa paralajmëroi mbajtjen e përgjegjësisë para organeve gjyqësore kombëtare e ndërkombëtare nëse deklaratat janë të pavërteta.
Ola Mitre/SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.