Linjat ajrore në Shqipëri, dominojnë “italianet” – Bie Turqia në favor të charterave
Tregu i fluturimeve në vendin tonë vazhdon të sundohet nga linjat që operojnë me destinacione në Itali.
Edhe gjatë muajit Korrik është kompania “Blue Panorama” që zë vendin e parë në podium, për nga numri i pasagjerëve, me 17% të totalit. Megjithatë, me rreth 49 mijë pasagjerë, pjesa e tortës për këtë linjë po zvogëlohet nga viti në vit për shkak të konkurrencës në çmime nga “Albawings” dhe “Ernest Airlines”, të cilat zënë përkatësisht 11% dhe 9% të tregut.
Ndërkohë, në rënie shfaqet edhe linja që mbart flamurin italian, “Alitalia”, e cila numëroi vetëm 8% të pasagjerëve (24 mijë), kur dy vite më parë transportonte dyfishin e udhëtarëve.
Menjëherë pas italianeve, ndjekin për nga numri i pasagjerëve “Austrian Airlines” dhe “Turkish Airlines” me përkatësisht 16,884 dhe 16,285 udhëtarë. Të dyja këto kompani zënë kështu nga 5% në treg.
Nëse do të bëjmë krahasimin sipas destinacioneve, gjatë muajit Korrik është ulur lehtësisht pjesa e individëve që udhëtojnë drejt Turqisë. Dy linjat që operojnë fluturime direkte me Stambollin numërojnë në total rreth 21,500 pasagjerë.
Megjithatë ulja nuk vjen si pasojë e pakësimit të udhëtarëve, por si rrjedhojë e shtimit të fluturimeve charter. Këto lloj fluturimesh direkte drejt Tiranës nga vendet nordike, Izraeli, Ukraina, Rusia, etj. zunë 23% të numrit të pasagjerëve.
Sa i takon disa prej linjave të tjera, “Wizz Air” raporton një rritje të ndjeshme të numrit të klientëve krahasuar me vitin e kaluar. Drejt Budapestit së bashku me destinacionet e shtuara këtë vit, Londra dhe Dortmundi, kanë udhëtuar në total me këtë linjë low cost rreth 9125 individë.
Rritje të qëndrueshme nga viti në vit regjistron edhe ‘Adria Airways”, “Jetairfly” dhe “Aegean Airlines”. Ndërsa “Transavia”, “Lufthansa” dhe “Air Serbia” regjistrojnë një numër më të ulët pasagjerësh.
Angelo Haruni/SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.