Linjat me qira – Ulen tarifat, më shumë konkurrencë për internetin
Autoriteti i Komunikimeve Elektronike dhe Postare do të ulë tarifat e dhënies së linjave me qira për operatorët e komunikimeve elektronike.
Mbështetur në analizën e tregut dhe në reagimet e operatorëve, AKEP ka propozuar ulje të tarifave për të nxitur më shumë konkurrencën mes operatorëve.
Operatori me fuqi të ndjeshme, Albtelecom, do të detyrohet të japë aksesin e plotë në linjat e veta lokale me fundore kundrejt një tarife fikse prej 556 lekësh, ndërsa për të pasur akses të përbashkët një operator tjetër duhet të paguajë 334 lekë.
Tarifat e propozuara nga AKEP përfaqësojnë një ulje me 18% nga tarifat aktuale. Kjo do të mundësojë që operatorët alternativë të mund të ofrojnë shërbim te përdoruesit edhe duke përdorur linjat ekzistuese të Albtelecom.
Ky është një element shumë i rëndësishëm i konkurrencës për shërbimet me linja fikse, që tashmë përfshijë internetin me brez të gjerë, telefoninë dhe televizionin kabllor.
Shërbimi i linjave me qira mundëson marrjen e shërbimit edhe nga operatorët që nuk kanë linja fizike në ndërtesën e përdoruesit.
Përdorimi i këtij shërbimi mes operatorëve shmang ndërtimin e disa linjave paralele nëpër pallatet e banimit.
Rritja e eficiencës dhe shmangia e investimeve të panevojshme ul kostot për operatorët dhe mundëson ofrimin e tarifave më konkurruese. Nëse tarifat e propozuara nga AKEP do të miratohen, pritet që ato të hyjnë në fuqi që nga 1 korriku i këtij viti.
Ersuin Shehu/SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.