Lira turke bie në nivelin më të ulët historik – Shpërthejnë protestat pasi Erdogan mbron uljen e normave!
Njerëzit në rrugët e Stambollit kanë shprehur shqetësimin për rënien e lirës turke në nivele rekord ndaj dollarit të mërkurën, një ditë pasi presidenti turk tha se politikë-bërësit nuk kishin oreks për të rritur normat e interesit në përgjigje të rënies së monedhës.
Lira turke më parë arriti një rekord të ulët duke tejkaluar 13 lira kundrejt dollarit, një humbje në vlerë prej rreth 15 % përpara se të rikuperonte lehtë. Lira ka humbur rreth 40 % të vlerës së saj që nga fillimi i vitit.
Përplasja pason gjithashtu uljet e fundit të normave të interesit, për të tretin muaj radhazi javën e kaluar. Presidenti Recep Tayyip Erdoğan, i cili e kishte deklaruar veten një “armik” të kostove të larta të huamarrjes, i portretizoi politikat e tij ekonomike si “një luftë ekonomike për pavarësi” gjatë një fjalimi televiziv drejtuar kombit.
Ai e bëri të qartë se qeveria e tij nuk do të tërhiqej nga politika e saj e uljes së normave të huamarrjes për të nxitur rritjen. Në kundërshtim me teorinë tradicionale ekonomike, Erdoğan argumenton se normat e larta të interesit shkaktojnë inflacion. Në mënyrë tipike, bankat qendrore i rrisin ato norma për të zbutur rritjen e çmimeve të konsumit.
Inflacioni tashmë po ecën me një normë vjetore prej 20 %. Kushtet aktuale ekonomike po shkaktojnë një rritje të kostos së jetesës për shumë njerëz, duke gërryer rëndë fuqinë blerëse të turqve dhe duke shkaktuar papunësi të lartë.
Policia u përball me një protestë në Stamboll të mërkurën me demonstrues të shumtë që denonconin politikat ekonomike të qeverisë. Protestuesit kërkonin dorëheqjen e qeverisë së Erdoganit.
Më shumë se 30 persona u arrestuan, sipas mediave ndërkombëtare ndërsa protesta të ngjashme pati në Ankara dhe qytete të tjera turke, raportuan gazetat lokale.
Edel Strazimiri / SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.