Lira turke ndalon rënien – Banka Qendrore ul normën e rezervës së detyrueshme
Lira turke është rimëkëmbur nga niveli rekord i ulët prej 7.24 kundër dollarit në nisje të javës, ndërkohë që Banka Qendrore premtoi se do të ofrojë likuiditet dhe të ulë rezervat e detyrueshme në lira dhe valutë të huaj për bankat turke.
Ky lajmërim vjen pas deklaratës së Ministrit të Financave, Berat Albayrak, i cili tha se autoritetet do të nisin zbatimin e një plani ekonomik të Hënën, pas përmbysjes së valutës ditën e Premte, që u përhap në tregjet globalë.
Banka Qendrore bëri të ditur ka ulur normën e rezervës së detyrueshme për lirën me 250 pikë bazë apo 2.5% për të gjithë intervalet e maturiteteve dhe ka reduktuar rezervën për detyrimet në valutë të huaj me 400 pikë bazë për maturitetet në mbi 3 vite.
Këto veprime do të lirojnë 10 miliardë lira, 6 miliardë dollarë dhe ar në vlerën e 3 miliardë dollarëve në sistemin financiar, sipas bankës qendrore. Institucioni deklaroi gjithashtu se do të ofrojë “të gjithë likuiditetin që i nevojitet bankave”. Gjatë sesionit tregtar aziatik, lira preku nivelin më të ulët të të gjitha kohërave prej 7.24 kundër dollarit amerikan.
Valuta ndaloi rënien pas komenteve të Ministrit të Financave dhe u rimëkëmb lehtë në 6.4 dollarë, pas deklaratës së Bankës Qendrore. Valuta ka humbur më shumë se 40% kundër dollarit këtë vit, kryesisht prej shqetësimeve mbi influencën e presidentit Erdogan në ekonominë turke, ngurrimit të tij për të rritur normat e interesit dhe përkeqësimit të marrëdhënieve me Shtetet e Bashkuara.
Ditën e Premte, rënia e lirës preku 18% gjatë një periudhe të shkurtër, duke trazuar tregjet në të gjithë botën. Erdogan, që e ka quajtur veten një armik të normave të interesit, synon të nxisë rritjen ekonomike nëpërmjet uljes së kostove të huamarrjes. Në një intervistë ditën e Diel, Erdogan hodhi poshtë komentet se Turqia ndodhet në krizë financiare. Sipas tij, rënia e valutës vjen prej sulmeve të planifikuara dhe nuk reflekton themelet e ekonomisë.
Klevis Llaha/SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.