Lirohen arinjtë që pinin birrë dhe hanin bukë të thatë – Dërgohen për mbrojtje në Prishtinë
Tre arinj në Shqipëri janë shpëtuar nga robërimi dhe janë zhvendosur në Strehën e Arinjve në Prishtinë. Ato mbanin përkatësisht emrat Gjina, Tomi dhe Pashuk dhe mbaheshin të mbyllur në kafaze pranë një restoranti.
Për vite me radhë ata ishin ushqyer në mënyrë të vazhdueshme me birrë dhe me copa buke të mbetura. Arinjtë ‘përdoreshin’ edhe për të bërë fotografi nga vizitorët e interesuar.
Por, menjëherë pasi shpëtimtarët dëgjuan rreth ‘burgosjes’ së këtyre kafshëve, ndërhynë për t’i shpëtuar dhe për t’iu mundësuar atyre një habitat më natyral dhe ushqim të shëndetshëm, raporton ‘The Dodo’ (që publikon çdo video apo informacion lidhur me keqtrajtimin e kafshëve .)
Grupi i mbrojtjes së kafshëve po punon për zhdukjen e këtij fenomeni në mbarë Evropën, veçanërisht në Shqipëri, të cilës i referon shpesh si vendi i “arinjve më të trishtuar në Evropë.”
Në projektligjin e depozituar disa ditë më parë në Kuvend për disa ndryshime në Kodin Penal, një ndër nenet përfshinte edhe “Robërimin e kafshëve të egra për përfitim”.
Ky nen specifikon se individët të cilët do të robërojnë kafshët e egra apo do t’i përdorin për arsye përfitimi, do të dënohen me burgim nga 6 muaj deri në 2 vjet si dhe me gjobë 300 000 lekë.
SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.