Listimi i bizneseve private në Bursë – BSH miraton rregulloren mbështetëse
Këshilli Mbikëqyrës i Bankës së Shqipërisë miratoi të enjten rregulloren “Për licencimin, rregullimin dhe mbikëqyrjen e operatorëve të sistemeve për shlyerjen e titujve”.
Sipas bankës qendrore, rregullorja synon të mbështesë zhvillimin e tregut në fushën e titujve të kompanive private letrave me vlerë dhe, më konkretisht, klerimin dhe shlyerjen e tyre nëpërmjet sistemeve private të licencuara dhe mbikëqyrura nga Banka e Shqipërisë dhe Autoriteti i Mbikëqyrjes Financiare. Funksionimi i sigurt i këtyre sistemeve garanton procesimin e pagesave për titujt që do të tregtohen në Bursë.
Rregullorja është e rëndësishme sepse do t’i hapë rrugë tregtimit të titujve të kompanive private në Bursën Shqiptare të Titujve ALSE. Aktualisht, në bursë tregtohen vetëm bonot dhe obligacionet e qeverisë shqiptare. E vetmja pengesë që ngelet për të tregtuar letra me vlerë të kompanive private është licencimi i regjistrit ALREG nga Banka e Shqipërisë, si sistem pagesash për shlyerjen e veprimeve që do të kryhen me titujt. Hartimi i kuadrit rregullator, përmes rregullores së miratuar të enjten, i hap rrugë licencimit në fjalë.
ALREG u licencua si regjistrar titujsh nga Autoriteti i Mbikëqyrjes Financiare në fund të muajit janar. Pasi ALREG të ketë marrë licencë edhe nga Banka e Shqipërisë, ligjërisht nuk ka më asnjë pengesë që kompanitë private shqiptare të tregtojnë tituj borxhi apo kapitali në bursën ALSE.
Ç’është më e rëndësishme, kjo do t’i hapë rrugë edhe tregtimit dytësor të këtyre titujve, çka do të sjellë një alternativë të re për investitorët, por edhe për fondet e investimeve dhe fondet e pensioneve që operojnë në Shqipëri. Drejtuesit parashikojnë që ALSE të jetë gati për tregtimin e titujve privatë në vjeshtën e këtij viti.
Ersuin Shehu/SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.