Listimi i Saudi Aramco – Oferta në tregjet ndërkombëtare bëhet e vështirë, synohen bursat lokale
Arabia Saudite po përpiqet të listojë gjigantin shtetëror të naftës, Saudi Aramco, në bursat lokale, ndërkohë që planet për një ofertë fillestare publike në bursa ndërkombëtare si në Londër apo New York, janë komplikuar. Mbretëria po synon të fitojë statusin e tregut në zhvillim nga hartuesi i indekseve MSCI në muajin Qershor, që të tërheqë fonde perëndimore për Saudi Armaco, përveç investitorëve nga Kina, Japonia dhe Korea e Jugut.
Arabia Saudite po përpiqet të listojë 5% të kompanisë nëpërmjet një oferte fillestare publike, që mund ta vlerësojë atë në mbi 2 trilionë dollarë, duke e kthyer në kompaninë më të madhe në botë nga kapitalizimi i tregut. Ministri i Energjisë i Arabisë Saudite, Khalid al-Falih, tha se Aramco është shumë i rëndësishëm për të rrezikuar listimin në SHBA, për shkak të shqetësimeve ligjore, si padia ekzistuese nga firmat rivale të naftës mbi ndryshimin klimatik. Ai shtoi se tregu vendas i kapitalit do të jetë objektivi i listimit.
Sipas një përditësimi të firmës hartuese të indekseve MSCI, Arabia Saudite do të kishte një kapitalizim prej 124 miliardë dollarë në indeksin e tregjeve në zhvilim, duke i dhënë një peshë prej 2.3%, normë e njëjtë me Tajlandën. Duke shtuar edhe 100 miliardë dollarë nga listimi i Aramco, pesha e indeksit të titujve të kapitalit të Mbretërisë do të rritej në 4%, duke kaluar atë të Rusisë. Nëse Arabia Saudite merr statusin e tregut në zhvillim, do të kishte më pak arsye për të listuar Saudi Aramco në bursat ndërkombëtare.
Klevis Llaha/SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.