Listimi i shumëpritur i Uber – Vlerësohet në $75.5 mld. “IPO” më i madh që prej Alibaba
Gjiganti i transportit Uber, gjeneroi 8.1 miliardë dollarë në ofertën publike fillestare, ndërkohë që aksionet u çmuan në fundin e segmentit të projektuar. Uber shiti 180 milionë aksione për 45 dollarë secili, sipas deklaratës, ndërkohë që i kishte reklamuar për 44 – 50 dollarë.
Bazuar në sasinë e aksioneve në qarkullim pas listimit, oferta publike fillestare i dha Uber një vlerë tregu prej 75.5 miliardë dollarë, pak poshtë vlerës private në treg prej 76 miliardë dollarë. Vlera totale përfshirë letrat me vlerë të kufizuara dhe aksione të tjera, arrin në 82 miliardë dollarë.
Uber i ka dhënë prioritet seleksionimit të aksionarëve, veçanërisht investitorëve institucionalë, që mendon se do t’i mbajnë aksionet për një kohë të gjatë. Kompania shpreson të shmangë javët e para të trazirave si ç’ndodhi me rivalin Lyft, aksionet e të cilit ranë poshtë çmimit të ofertës brenda disa ditësh dhe humbën 23%.
Pavarësisht se Uber u vlerësua në fundin e segmentit që kishte caktuar , listimi i kompanisë është një nga ofertat fillestare amerikane më të mëdha të të gjitha kohërave, si dhe më i madhi në një bursë në SHBA që prej listimit të Alibaba prej 25 miliardë dollarë në vitin 2014.
Megjithatë, pasi ka pritur më shumë se një dekadë për t’u kthyer në publike, Uber e bëri debutimin në kushte jo perfekte.
Aksionet amerikane kanë rënë për të katërtën ditë radhazi dhe indeksi S&P 500 pritet të tregojë javën më të keqe të vitit. Aksionet e Uber do nisin tregtinë në bursën e Neë Yorkut ditën e Premte.
Klevis Llaha / SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.