“Llogaritja e kontributeve për sigurime”, Tatimet: Kushtet që duhet të ndjekin të vetëpunësuarit për t’u regjistruar
Drejtoria e Përgjithshme e Tatimeve publikon kushtet për regjistrimin e personave fizikë të vetëpunësuar. Sipas DPT afati për deklarimin është data 20 e muajit pasardhës të çdo tremujori dhe regjistrimi kryhet me qëllim llogaritja e detyrimit të kontributeve të sigurimeve shoqërore dhe shëndetësore
“Të nderuar tatimpagues, deklarimi në organin tatimor të personit fizik të vetëpunësuar pa punëmarrës dhe pa punonjës të papaguar të familjes mbi 16 vjeç, me të cilët ai punon dhe bashkëjeton ligjërisht, pasi është regjistruar në Qendrën Kombëtare të Biznesit ose në administratën tatimore dhe është pajisur me NIPT, kryhet deri të paktën 3 ditë përpara afatit të paraqitjes së deklaratës (listëpagesës).
Llogaritja e detyrimit të kontributeve të sigurimeve shoqërore dhe shëndetësore bëhet me efekte nga data e regjistrimit në Qendrën Kombëtare të Biznesit ose në administratën tatimore.
Afati i deklarimit të listëpagesës është data 20 e muajit pasardhës të çdo tremujori, konkretisht:
- 20 Janar
- 20 Prill
- 20 Korrik
- 20 Tetor
Ndërkohë deklarimi duhet kryer të paktën 3 ditë përpara këtij afati, të tremujorit përkatës”, thuhet në njoftimin e DPT.
Drejtoria e Përgjithshme e Tatimeve e konkretizon procedurën e regjistrimit përmes një shembulli procedurën e regjistrimit nga QKB te Tatimet
“Nëse personi fizik (i vetëpunësuar pa punëmarrës dhe pa punonjës të papaguar të familjes), është regjistruar në QKB në datën 12 maj 2017 (apo gjatë muajve prill, maj dhe qershor), regjistrimi në mënyrë elektronike në sistemin tatimor si i vetëpunësuar, duhet të kryhet brenda datës 17 Korrik 2017”.
Osman Dedja/SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.