Llojet e turizmit në rritje – Turizmi sportiv dhe i aventurës, rritje prej 30% në vit
Turizmi sportiv dhe i aventurës po njeh rritje në vendin tonë krahas turizmit detar dhe atij malor.
Sipas operatorëve turistikë, ky lloj turizmi i cili ka qenë jo shumë i zhvilluar në vendin tonë , po pëson një rritje prej 30% në vit. Këtu përfshihen zhytjet argëtuese, rafting në lum, kajak, sportet dimërore, aktivitete sportive me adrenalinë të lartë etj.
Një tjetër lloj turizmi që po njeh zhvillim në Shqipëri është Turizmi shëndetësor. Ky lloj turizmi po ashtu po njeh rritje në nivel global me një normë mesatare 15%-20% në vit. Shqipëria ka avantazhe konkurruese për zhvillimin e turizmit shëndetësor, duke filluar që nga çmimet e ulëta si dhe afërsia me tregjet e mëdha.
Turizmi i biçiketave po ashtu po njeh një normë rritje me 10% në vit si një metodë e transportit që mendohet të ketë një rritje në vendet e Europës, në dhjetë vitet e ardhshme. Edhe Ekoturizmi është produkt në rritje rreth 10 % deri 20% në vit.
Ndërkohë që ende nuk ka një rritje të turizmit të kulinarisë pavarësisht se kohët e fundit po i kushtohet një vëmendje e veçantë, si një produkt i cili konsumohet pothuajse nga të gjithë turistët e huaj, por numri i këtyre turistëve, të cilët po vizitojnë vendin vetëm për ushqimin është relativisht i vogël.
Nertila Doko/SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.