Lojëra fati të kundërligjshme – Policia arreston në flagrancë administratorin e lokalit dhe sekuestron 14 pajisje elektronike
Policia e Shtetit njofton se në vijim të punës për evidentimin dhe ndëshkimin e paligjshmërisë, nga shërbimet e Komisariatit të Policisë Lushnjë është bërë i mundur evidentimi dhe goditja e një rasti të ushtrimit të aktivitetit të kundërligjshëm të lojërave të fatit, në qytetin e Lushnjës.
Sipas njoftimit gjatë kontrollit në lokalin e marrë me qira nga shtetasi K. D. u gjetën dhe u sekuestruan 4 aparatura të lojërave të fatit, 1 laptop, 2 tableta dhe 7 televizorë, që shërbenin për ushtrimin e aktivitetit të kundërligjshëm të lojërave të fatit.
Policia bën me dije se në përfundim të veprimeve hetimore, nga specialistët për Hetimin e Krimeve në Komisariatin e Policisë Lushnjë u arrestua në flagrancë shtetasi K. D., 27 vjeç, banues në Lushnjë, për veprat penale “Organizim i lotarive të palejuara” dhe “Vënia në dispozicion e lokaleve për lojëra të palejuara”.
Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Lushnjë, për veprime të mëtejshme.
SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.