Lojërat e fatit, Kadiu: Janë 4-fishuar, gjatë 2017 shqiptarët shpenzuan 132 mln euro
Pikat e basteve janë katërfishuar duke shkuar mbi 4 mijë të tilla që nga viti 2013. Në një dalje për mediat deputetja e Partisë Demokratike Fatbardha Kadiu u shpreh se gjatë vitit 2017 shqiptarët kanë shpenzuar 132 milionë euro në lojërat e fatit. Sipas opozitës lojërat e fatit janë biznesi që po lulëzon më shumë pasi janë të favorizuar nga paketa fiskale.
“Pikat e basteve janë katërfishuar, sepse qeveria e Edi Ramës ka vendosur të zgjerojë biznesin, me të cilin iu mburr shqiptarëve se do ta mbyllte. Në 2013 ato ishin 928, sot numri i tyre e kalon 4230 pika bastesh, bixhozi dhe kazinosh. Vetëm në vitin 2017, shqiptarët kane lënë 132 milion euro ne bixhoz. Kjo është e vërteta që Ministria e Financave, tinëzisht, po kërkon të mbulojë, duke kanalizuar aferën korruptive të lojërave të fatit në një diskutim teknik, pa u thënë shqiptarëve pse e shtyn zbatimin e ligjit prej 3 vjetësh. E vërteta është se ndryshimet ligjore favorizojnë Lotarinë Kombëtare, kompani e cila do të përfitojë nga lehtësitë në taksim, njësoj siç përfitojnë bizneset e tjera të bixhozi që nga viti 2015”, deklaroi Kadiu.
Më tej deputetja e Partisë Demokratike ka vijuar duke bërë publik qëndrimin e opozitës, për shfuqizimin e çdo ligji që ul taksat për lojërat e fatit.
Entela Barjamaj/SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.