Lojërat e fatit – Nuk kishin mbyllur aktivitetin, procedohen penalisht 2 pronarë në Tiranë
Pronarët e dy subjekteve të lojërave të fatit janë proceduar penalisht në Tiranë. Nga kontrollet e ushtruara në të gjithë qarkun për evidentimin e ushtrimit de zhvillimit të kundraligjshëm të lojërave të fatit, Policia e Tiranës ka konstatuar 2 subjektet që nuk kishin mbyllur aktivitetin.
Sipas Policisë, u gjetën aparatura të dyshuara për lojëra fati. Më konkretisht, u gjobitën:
T.C., 22 vjeç, banues në Tiranë, për veprat penale “Organizimi i lotarive të palejuara” dhe “Vënia në dispozicion e lokaleve për lojëra të palejuara”, pasi në rrugën “Bardhok Biba” në lokalin e tij nuk ishte mbyllur aktiviteti i lojërave të fatit.
E.B., për veprën penale “Organizim i palejuar i lojërave të fatit”, pasi në rrugën “Muhamet Allushi” në subjektin e tij u konstatuan aparatura të dyshuara për lojëra fati.
Ndërkohë, Policia njofton se kontrollet kundër aktivitetit të lojërave të fatit do të vijojnë në të gjithë qarkun e Tiranës. Ndërsa fton qytetarët që të denoncojnë çdo veprimtari të tillë të kundraligjshme në numrin 112 ose përmes aplikacionit ‘Komisariati Dixhital.’
SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.