Lojrat Olimpike ende në pikëpyetje – OBSH shpreson, pavarësisht zgjatjes së gjendjes së jashtëzakonshme
Organizata Botërore e Shëndetësisë shpreson që Lojrat Olimpike në Japoni mund të zhvillohen këtë verë, por shumë nga vendimet për formatin e tyre mund të merren vetëm në minutën e fundit për shkak të rreziqeve në zhvillim nga pandemia e COVID-19 . Japonia të premten zgjati gjendjen e jashtëzakonshme në Tokio dhe tre zona të tjera deri në fund të majit për të ndaluar një rritje në rastet e koronavirusit, por Kryeministri Yoshihide Suga përsëriti se ishte ende e mundur të organizohej Olimpiada e Tokios këtë verë më 23 korrik. Qeveria zgjati gjendjen e jashtëzakonshme në 31 maj, nga 11 maj që ishte më parë.
Zyrtarë të OBSH u shprehën se deri më tani, autoritetet kishin aplikuar një “qasje shumë sistematike, të menaxhuar nga rreziqet” për përgatitjet dhe e përshkruan qeverinë japoneze si “shumë kompetente” për të marrë vendime se si të organizonin lojrat, duke shmangur rreziqet që do të përhapnin virusin.
“Kemi besim se Komiteti Olimpik Ndërkombëtar, qyteti pritës Tokio dhe qeveria e Japonisë do të marrin vendimin e duhur se si të menaxhojnë më mirë rreziqet dhe ata po punojnë jashtëzakonisht shumë tani për të siguruar që këto rreziqe të mirëmenaxhohen”, shtuan zyrtarët e OBSH.
Disa vendime, të tilla si për numrin e spektatorëve, mund të merreshin vetëm para hapjes së lojrave, në bazë të ecurisë së infektimeve të COVID-19. Japonia tashmë ka thënë se spektatorët ndërkombëtarë do të ndalohen dhe se ajo mund të zhvillojë eventin edhe pa spektatorë.
SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.