Lojrat Olimpike në ambiente pa publik – Raporti: Japonia mund të humbasë 23.1 mld USD në këtë skenar
Nëse lojërat Olimpike të Tokjos do zhvillohen në ambiente pa publik, Japonia mund të pësojë një humbje ekonomike prej rreth 2.4 trilionë jen, apo 23.1 miliardë dollarë. Sipas një raporti të Universitetit të Kansait, pa të ardhurat nga biletat dhe blerje të tjera nga spektatorët, humbja mund të arrijë në 6.74 miliardë dollarë dhe industria e sportit post-Olimpike mund të humbasë rreth 9.64 miliardë dollarë.
Me vetëm 6 muaj nga nisja e lojërave Olimpike, pandemia vazhdon të jetë e ashpër në Japoni dhe shumë pjesë të botës. Nën rrethana të tilla, Komisioni Ndërkombëtar Olimpik dhe autoritetet japoneze, kanë sugjeruar se lojërat në Tokjo, mund të mbahen me shumë mundësi në ambiente boshe pa spektatorë.
Thomas Bach, kryetari i komisionit olimpik, tha se lojërat në ambiente boshe mund të jenë një mundësi. Ai theksoi se për shkak të pandemisë, prioritet do të jetë siguria e pjesëmarrësve. Komisioni i Lojërave Olimpike ka konsideruar shumë skenarë, përfshirë përmasën e audiencës, nëse do të lejohet.
Klevis Llaha / SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.