Londra, në emergjencë shëndetësore – Niveli maksimal i alarmit, kufizohet lëvizja e 9 milionë banorëve
Në shumë qytete e kryeqytete europiane po rikthehen skenat e pranverës së vitit të kaluar, me njerëzit që dynden nëpër dyqane të bëjnë blerjet e fundit, me rrugët e boshatisura, njerëzit me maska, dhe frikën që “mbretëron”. Londra, kryeqyteti financiar i botës ka hyrë nën një regjim të ri si pasojë e shifrave të shpërndarjes së infeksionit. Menjëherë pas mesnatës, ditën e premte, kryeqyteti i Britanisë së Madhe, me një popullsi prej rreth 9 milionë banorësh u vendos në nivelin më të lartë të rrezikut.
Ky klasifikim përthehet në shumë kufizime, sidomos sa i përket lirisë së lëvizjes së njerëzve. Një ndër to është edhe ndalimi për të takuar anëtarë të familjeve të tjera, si brenda, ashtu edhe jashtë. Por, jo të gjithë e ndajnë këtë vendim të qeverisë së Boris Johnson. Tensionet sociale dhe ekonomike janë në kulmin e tyre, dhe shumëkush paralajmëron se shumë shpejt, një pjesë e popullsisë nuk do të mund të veshë më dot as fëmijët e tyre.
Edhe qytete të tjera si York janë vendosur nën nivelin maksimal të alarmit. Pronarët e restoranteve ndërkohë, thonë se anulimet e rezervimeve pas njoftimit të Ministrisë së Shëndetësisë kanë sjellë humbje gjigande. Britania e Madhe vijon të mbajë rekordin e fataliteteve si pasojë e covid-19 në Europë, me rreth 43 mijë viktima.
Roel Korkuti / SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.