Lufta ndaj informalitetit, në aleancë me kontabilistët
Nga Prof.dr. Agim Binaj
Ekonomia shqiptare, edhe pas një periudhe relativisht të gjatë të tranzicionit, me gjithë përmirësimet, përballet me një problematikë të gjerë frenuese, atë të ekonomisë informale, që e pengon të ecë me ritmet e duhura dhe të bëjë progresin e dëshirueshëm. Ekonomia informale, një ndër treguesit më shqetësues dhe që vazhdon të jetë ende i tillë, madje një “përbërës dinamik në ekspansion dhe një veçori negative strukturore e ekonomisë shqiptare”. I konceptuar në formën më klasike të tij, ekonomi informale apo evazioni fiskal, do të thotë: “Tërësia e veprimtarive prodhuese apo e shërbimeve në një vend, që nuk i nënshtrohet lejes dhe pagesës së detyrimeve fiskale. Në një studim të kohëve të fundit të Organizatës Europiane për Bashkëpunim dhe Zhvillim, (OECD), rreth reduktimit të ekonomisë informale në vendin tonë, evidentohet se në sektorin privat aktiviteti informal është 1.4 herë më i lartë se ai formal, ose 40-45 për qind më shumë, duke mos llogaritur këtu aktivitetet kriminale, si kontrabandën, trafikimin e prostitucionin dhe aktivitetet e pataksueshme, si ai bujqësor e deri diku ai familjar, apo dhe objektet e dhëna me qira. Po ashtu në botimet ndërkombëtare (Financial Times, dhjetor 2016, World Report) ekonomia informale llogaritet rreth 50% e PPB dhe deri në 60-65 për qind e vlerësuar nga disa prej organizatave joqeveritare apo dhe ato ndërkombëtare ose afërsisht 1 miliard euro nuk shkojnë në buxhetin e shtetit. Vështirësitë në matjen e ekonomisë informale në vendin tonë rriten edhe për faktin se ajo, në mjaft raste, shfaqet e kombinuar dhe e lidhur me ekonominë ilegale, me krimin e organizuar, korrupsionin, kontrabandën etj. Ndikimin negativ të ekonomisë informale në ekonomi e shohim kryesisht në treguesit fiskalë (si rritje të evazionit fiskal) dhe në deformimin e konkurrencës në treg. Shpesh, ekzistojnë lidhje të ndërsjella mes ekonomisë formale dhe informale.
Zgjidhjet
Po cilat do të ishin, sipas mendimit tonë dhe përvojave të vendeve të përparuara, disa rrugë më efektive për reduktimin e ekonomisë informale dhe për rrjedhojë, të evazionit fiskal? Në radhë të parë, ne duhet të zbulojmë rrënjët e ekonomisë informale dhe të evazionit fiskal. Dhe këtë, për së pari, duhet ta kërkojmë te legjislacioni i adaptuar nga shtete të ndryshme pa marrë parasysh stadin e zhvillimit, nivelin kulturor të njerëzve tanë dhe pa studiuar mirë kushtet konkrete të vendit tonë, pa njohur siç duhet edhe mentalitetin e mjedisit ku do të zbatohet ky legjislacion. Sepse ne nuk na duhet një legjislacion i mirë në vetvete dhe jo efikas për “hallin” tonë! Njëkohësisht, duhet ta kërkojmë tek ata që zbatojnë ligjin: te të punësuarit në administratën tatimore, në dogana apo në hallka të tjera. A kanë përgatitjen e duhur, përgjegjshmërinë e deri infrastrukturën për t’iu përgjigjur legjislacionit të përshtatur nga vende të zhvilluara dhe me mentalitete të civilizuara siç janë Franca, Gjermania apo Holanda? Por duhet ta kërkojmë edhe në mentalitetin shqiptar, që fatkeqësisht ende ekziston te shtetasit tanë, për të mos e parë shtetin si të tyre, si partner e si mbrojtës të veprimtarisë së tyre jetësore e ekonomike, por si kundërshtar të interesave të tyre e deri si zhvatës, gjë që sjell reagim negativ e kundërvënie për të mos i paguar tatimet e taksat. A ka analiza të thella edhe në këtë këndvështrim nga Qeveria apo Drejtoria e Tatimeve kur shqyrton fenomenin e evazionit dhe shkaqet e tij? Ne mendojmë se ka analiza për realizimin me çdo kusht të planit të të ardhurave, qoftë edhe duke bërë shkelje flagrante në raportin e caktimit të tatimeve më “të mëdha” në dëm të biznesit, por nuk ka analiza për shkaqet e evazionit të thellë fiskal, për faktorët socialë dhe psikologjikë, apo më thjeshtë ekonomia e sjelljes, për shtigjet që duhen mbyllur, si t’i përgjigjemi me masa ligjore mentalitetit dhe fenomenit shqiptar të shmangies nga detyrimet tatimore, bashkëpunimit me organizatat e profesionistëve të kontabilitetit etj. Analiza të tilla dhe studimet nga grupe të specializuara për evazionin fiskal, do të bënin të mundur hartimin e një strategjie e platforme të qartë, afatgjatë duke mbajtur parasysh në vendimmarrjen e qeverisë, për politikën fiskale, si faktorët psikologjikë dhe socialë, apo kultura dhe niveli i zhvillimit si busullë në çdo rast, me qëllim përmirësimin e duhur në legjislacionin fiskal etj, masa këto që çojnë drejt minimizimit të fenomenit të rrezikshëm të informalitetit, me ndikim të drejtpërdrejtë në nivelin e zhvillimit të vendit, të mirëqenies dhe uljes së varfërisë.
Optimizimi i tatimit
Një masë e frytshme mund të jetë optimizimi i përqindjeve të shkallës tatimore, të kombinuara me vlerësimin dhe kontrollin tatimor të deklaratës tatimore apo të Pasqyrave Financiare të paraqitura nga vetë subjektet, pra kontrollin e vetëdeklarimit. Problemi i optimizimit të mbledhjes së të ardhurave tatimore për qeverisjen qëndron mbi faktin që në kontekstin “kapital tatimpagues” të gjejmë dhe të zbatojmë një strategji që të mbledhë në maksimum të ardhurat neto tatimore pa prekur barazinë midis tatimpaguesve. Është detyra e tatimorëve, që me metoda bashkëkohore investigimi dhe vetëdeklarimi, sistemet e database-ve apo software-ve të integruara, të përcaktojnë të ardhurat reale për çdo biznes e jo siç ndodh në disa raste: një biznes paguan tatim-fitimi 8% mbi shitjet, një tjetër 2%, një tjetër 3.75% etj. Kjo mënyrë të caktuari të tatimeve dhe taksave me gjithë përmirësimet sidomos në marrëdhëniet me taksapaguesit e mëdhenj, krijon kushte edhe për evazion fiskal, sepse çdo zbatim ligji në mënyrë arbitrare e preferenciale stimulon të kundërtën e vet nëpërmjet kundërveprimit të biznesit, i cili gjen rrugë e shtigje për të mos deklaruar të gjitha të ardhurat. Tatimpaguesve duhet t’u bëhen gjithnjë pyetje sqaruese, kur në deklaratën e tyre konstatohen pasaktësi e paqartësi, si p.sh. për normën e fitimit të paargumentuar në krahasim me vlerën e aseteve (aktive) të biznesit etj. Atëherë strategjia e provës së evazionit nga kontrollet e kryera nga degët e tatim-taksave do të ishte më efektive dhe në ndihmë të qëllimit kryesor: zbulimit të të ardhurave të fshehura. Çështjes së arritjes së shkallës optimale të zbatimit të ligjit tatimor, pak vëmendje i kushtohet edhe nga ekonomistët e financës publike. Studimet teorike të vendeve të zhvilluara prezantojnë se ulja e shkallëve tatimore jep zhvillim të madh ekonomik, sidomos në vendet në zhvillim, siç është vendi ynë, me prapambetje ekonomike dhe kulturore të trashëguara që nga Perandoria Osmane.
Evazioni përsoset
Evazioni fiskal sa vjen e përsoset në format e tij të paraqitjes. Ai nuk është më një evazion i rrugës, por i kamufluar, bazuar mbi strategji e taktika të stërholluara dhe të menduara me kujdes, në përputhje e korrelacion me strategjitë e luftës antievazion të administratës tatimore. Madje mund të themi që veprimet e këshilltarëve të kualifikuar, që gjejnë forma të stërholluara e të sofistikuara brenda boshllëqeve të legjislacionit fiskal, për të mos i paguar shtetit atë që i takon t’i paguhet, është bërë një veprim më se normal, i preferuar, i stimuluar dhe mjaft fitimprurës. Në konstatimet e OECD-së vihet në dukje, se në Shqipëri “Sipërmarrjet janë bërë më të afta për të shfrytëzuar mungesën e konkurrencës, që sistematikisht të raportojnë nën vlerë fitimet e tyre p.sh shoqëritë koncesioneve në fushë e naftës apo kromit etj”. Të tillë do të ketë gjithnjë, jo vetëm te ne, por dhe në botën moderne. Të shfrytëzosh hapësirat ligjore për të mos paguar detyrimet tatimore, në gjuhën fiskale do të thotë evazion i ligjshëm. Duke qenë kështu, Qeverinë dhe Drejtorinë e Përgjithshme të Tatimeve, më tepër se fenomeni në fjalë, duhet ta shqetësojë hartimi i politikave të mençura dhe efikase për ngushtimin e shtigjeve të evazionit fiskal. Për këtë, ne mendojmë që me njerëz të kualifikuar dhe me institucione të pavaruara, qoftë pranë Akademisë së Shkencave, ose me një institucion të posaçëm, të specializuar për problemet fiskale, të studiohet ky fenomen i rrezikshëm, që s’është gjë tjetër veçse krim ekonomik dhe që s’ka asnjë dallim nga ai krim që kryejnë aktivitetet e ndaluara dhe me rrezik për shoqërinë. Kjo për faktin se të dyja këto kategori nxjerrin të ardhura informale, pavarësisht se njëra kategori konsiderohet për të ardhurat që fiton si krim direkt dhe që duhet të ndëshkohet në çdo formë paraqitjeje, kurse tjetra një e keqe më e vogël. Këtu ka vend të përsoset administrata dhe qeverisja e biznesit në çdo hallkë, nëpërmjet dokumentacionit të kontrolluar mirë me elemente sigurie. Duhet të studiohet fatura tatimore: a është e plotë, a ka elementët e duhur të sigurisë, a falsifikohet, a mbushet rregullisht, apo është më e mirë fatura elektronike me logon e biznesit etj?
Si mund të përmirësohet sistemi?
Çdo ditë të shtrohet pyetje: Çfarë duhet të përsosim e të ndryshojmë? Kjo bën të domosdoshme që në thelb të reformës fiskale, për të luftuar evazionin fiskal, të jetë zgjerimi e thellimi i formalizimit të ekonomisë. Elementi më i parë, për ta realizuar këtë është kompletimi me rregulla fikse i biznesit të vogël, duke e detyruar të deklarojë blerjet dhe të mos ketë asnjë mall në banaqe e rafte pa faturë tatimore. Kjo duhet të shoqërohet me sisteme të informatizuar (IT) të integruar, nga dogana deri tek konsumatori i fundit (kasa), ku të llogaritet mirë vlera e shtuar dhe tatimi mbi të. Kjo do të bëjë që qarkullimi i mallrave nga një hallkë në tjetrën të dokumentohet, po kështu të dokumentohen shitjet nga biznesi i madh tek i vogli, gjë që çon në rritjen e të ardhurave si të biznesit të madh edhe të atij vogël. Në kushtet e Shqipërisë, ku ndërgjegjja dhe kultura fiskale nuk është në nivelin e duhur, duhet të hiqet fasha edhe kufiri deri në 2 milionë lekë xhiro për bizneset që nuk paguajnë TVSH. Ka eksperienca në botë dhe vende të përparuara që nuk kanë kufi (përjashtime), por të gjithë janë subjekte të TVSH-së. Ndryshimi është shkallëzimi i TVSH-së jo vetëm standard 20% siç është aktualisht në vendin tonë, por me shkallëzime 6% apo 7% për artikuj konsumi, shërbime etj. Kjo masë ka të bëjë përmirësimin e qeverisjes në tërësi nëpërmjet dokumentacionit kontabël, shoqëruar dhe me masa të tjera, si pajisja e të gjithëve me kasa regjistruese e me kompjuter, gjë që, sidomos kjo e fundit, lë shumë për të dëshiruar, përderisa aktualisht në Tiranë, ku veprojnë dhjetëra mijë subjekte, apo rreth 50% e gjithë biznesit në Shqipëri kasat nuk përdoret në të gjitha rastet dhe për çdo shitje të realizuar. Kushtet e Shqipërisë, me strategjinë e zhvillimit dhe të reformave, mund të aplikohen dhe modele të vendeve të tjera, si Bullgaria, ku administrimi i doganave bëhet nga agjenci të specializuara zvicerane, dhe të ardhurat e buxhetit në këtë hallkë u rritën rreth 3 herë. Apo në Maqedoni që shkallëzimi i TVSH-së me 5% në turizëm e konsum dhe administrimi nëpërmjet kasave fiskale bëri që për 2-3 vjet kohët e fundit, buxheti të rezultojë me suficit.
Bilancet dhe evazioni
Çfarë roli ka luajtur pasqyrat financiare (bilanci) dhe evidenca kontabile në shmangien e evazionit fiskal dhe të ekonomisë informale? Çfarë duhet ndryshuar këtu, sipas përvojave të vendeve të tjera? Cili duhet të jetë vendi i kontabilitetit apo i ekspertit kontabël në luftën kundër evazionit fiskal dhe ekonomisë informale? Me gjithë arritjet dhe punën e bërë për implementimin e e kontabilitetit të ri, pas viteve 1993, në Shqipëri, me keqardhje mund të themi se profesioni i kontabilistit nuk është në nivelin që duhet, por dhe nga qeverisjet nuk vlerësohet, ndërkohë që në çdo tryezë ku diskutohet politika fiskale dhe lufta kundër informalitetit, kontabilistët, ekspertët kontabël, duhet të jenë të parët, sepse janë ata që hartojnë shifrat dhe pa shifra s’ka drejtim, s’ka qeverisje. Fakti që pasqyrat financiare ende s’janë të besueshme për përdoruesit (bankat, aksionerët etj.) e tregon këtë. Bilanci, dokumenti bazë ligjor, nuk është bërë ende fotografia e njësisë së biznesit me anë të të cilit të nxirren konkluzione për transparencën e aktivitetit.
Të gjithë organet shtetërore dhe biznesi duhet të kuptojnë se pa pasqyra financiare, s’ka qeverisje e drejtim të shoqërisë, s’ka administrim, s’ka tregues të saktë makro dhe mikroekonomikë. Por, që të arrihet kjo dhe pasqyrat financiare të zënë vendin që u takon në drejtimin e shtetit në tërësi dhe të shoqërive të biznesit në veçanti, duhen bërë përmirësime në radhë të parë në legjislacionin e shoqërive tregtare dhe ligji për kontabilitetin dhe pasqyrat financiare. Po ashtu inspektorët e tatimeve duhet të heqin dorë nga hartimi i pasqyrave financiare, qoftë në mënyrë të hapur, qoftë në mënyrë të fshehtë. Nga disa të dhëna të përafërta, gati 50% e bilanceve dhe deklarimeve fiskale në shkallë Shqipërie bëhen nga inspektorët e tatimeve. Ky është konflikt i hapur interesi, që po të kontrollosh deklarimet dhe hartuesit e pasqyrave financiare për çdo biznes, do ta zbulosh këtë fakt që ndoshta mund të jetë dhe më i thellë.
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.