Lufta ndaj pastrimit të parave – Licencimi i shoqërive të sigurimit kalon në “sitën” e DPPP
Autoriteti i Mbikëqyrjes Financiare ka miratuar masa rregullatore shtrënguese, me qëllim parandalimin e pastrimit të parave në tregun e sigurimeve. Rregullorja e ndryshuar për dhënien e informacionit në lidhje me burimin e kapitalit për aksionarët e shoqërisë së sigurimit, përcakton se aksionarët me pjesëmarrje influencuese të shoqërive që aplikojnë për licencë do të kalojnë në sitën e Drejtorisë së Parandalimit të Pastrimit të Parave, në rastet kur Autoriteti i Mbikëqyrjes Financiare e çmon të nevojshme.
Kur Autoriteti konstaton, ose ka dyshime të arsyeshme se aksionari themelues apo influencues ka lidhje familjare apo marrëdhënie të ngushta personale, pune apo biznesi me persona të dënuar për kryerjen e veprave penale, njofton Drejtorinë e Përgjithshme të Parandalimit të Pastrimit të Parave dhe pezullon procedurën e licencimit deri në një përgjigje nga kjo e fundit. Në të njëjtën mënyrë do të veprohet edhe për rastet kur ka dyshime të arsyeshme se burimi i kapitalit të shoqërisë së sigurimit lidhet me kompani të regjistruara në parajsa fiskale.
Ndryshime të ngjashme në rregulloret e licencimit janë bërë edhe nga Banka e Shqipërisë, me qëllim parandalimin e pastrimit të parave nga aksionarët e bankave apo institucioneve të tjera financiare të mbikëqyrura nga banka qendrore.
Këto ndryshime mbështeten kryesisht në rekomandimet e dhëna nga Moneyval, Komiteti i Këshillit të Evropës për Parandalimin e Pastrimit e Parave dhe Financimit të Terrorizmit.
Ersuin Shehu / SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.