Lufta tregtare drejt fundit – Trump: Marrëveshja me Kinën mund të arrihet në 4 javë
Presidenti i Shteteve të Bashkuara tha se arritja e një marrëveshjeje tregtare me Kinën është afër dhe shtoi se mund të ndodhë brenda 4 javëve. Trump foli pas një takimi me zv/Kryeministrin kinez, Liu He, i cili ndodhet në Washington për bisedat tregtare. Liu tha se ka patur progres të madh në negociata. Kina dhe SHBA ndodhen mes negociatave intensive për të përfunduar luftën tregtare që ka trazuar tregjet botërorë.
Washingtoni kërkon ndryshime rrënjësore të politikave ekonomike dhe tregtare të Kinës, ndërsa Pekini kërkon që Trump të heqë tarifat e shtrenjta ndaj mallrave kinezë. Trump foli gjithashtu për sasinë e mëdha të parave që Shtetet e Bashkuara, Kina dhe Rusia shpenzojnë në prodhimin e armëve, përfshirë armët bërthamore, dhe sugjeroi se kjo para mund të shpenzohet më mirë diku tjetër.
“Siç e dini, Kina po shpenzon shumë para në ushtri, e të njejtën gjë po bëjmë ne dhe Rusia. Këto tre vende mund t’i ndalojnë këto dhe të shpenzojnë në fusha të tjera, që mund të jenë më produktive në arritjen e paqes afat-gjatë.”
Trump hodhi idenë e vazhdimit të negociatave pas marrëveshjes tregtare me Kinën, me një marrëveshje të dytë që trajton çështjet e shpenzimeve ushtarake dhe prodhimin e armëve.
Klevis Llaha/SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.