Lufta tregtare drejt fundit – Trump: Në fuqi faza e parë e marrëveshjes me Kinën, pezullojmë rritjen e tarifave
Presidenti amerikan, Donald Trump, deklaroi se ka hyrë në fuqi faza e parë për t`i dhënë fund luftës tregtare mes dy ekonomive më të mëdha të botës. Për këtë arsye, kreu i Shtëpisë së Bardhë ka urdhëruar pezullimin e hyrjes në fuqi të tarifave të reja doganore për muajin Tetor. Gjithsesi, zyrtarë të lartë pranë të dyja palëve shprehen se ka ende shumë punë për të bërë përpara se të arrihet në nënshkrimin e një marrëveshje.
Njoftimi i Donald Trump ditën e Premte nuk përmban asnjë detaj në lidhje me pikat ku kanë rënë dakord palët, duke sqaruar vetëm se marrëveshja do të kërkojë rreth 5 javë për t`u shkruar. Por, Trump nuk ngurroi të theksonte faktin se, marrëveshja mund të bjerë poshtë gjatë kësaj periudhe, gjë të cilën ai nuk beson se do të ndodhë.
“Besoj se kemi një mirëkuptim reciprok në piketat kryesore. Kemi kaluar një sasi të madhe shkesash, por ka ende shumë punë për të bërë”-nënvizoi sekretari amerikan i thesarit, Steven Mnuchin. Progresin e ndjeshëm në negociata e ka konfirmuar disa herë gjatë javës edhe agjencia shtetërore e lajmeve të Kinës.
SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.