Lufta tregtare, kryefjala e G7 Edhe marrëveshja me Iranin dhe Brexit në qendër të diskutimeve
Lufta tregtare, sidomos ajo që ka vendosur përballë dy ekonomitë më të mëdha të botës, ka qenë padiskutim tema kryesore e samitit të G7 në Biarritz, Francë.
Vetëm një tregti e lirë dhe e barabartë mund të garantojë rritjen ekonomike si dhe të garantojë interesin kombëtar. Ishte pikërisht kjo kryefjala e samitit.
Thuajse të gjithë liderët e pranishëm në samit i kanë bërë presion kreut të Shtëpisë së Bardhë për t`u tërhequr nga politikat proteksioniste, pasi ekonomia globale ndodhet në një rrezik të madh.
Samiti i G7 vulosi edhe atë që dukej e pashmangshme, miqësinë Trump-Johnson. Kryeministri britanik dhe presidenti amerikan folën për mundësinë e një pakti tregtar mes dy vendeve, si dhe për mundësitë ende të pashfrytëzuara për të bërë biznes.
Protagonisti i padiskutueshëm i samitit të G7 që mbyll punimet këtë të Hënë, ka qenë i zoti i shtëpisë, Emmanuel Macron, i cili është projektuar, pse jo, edhe si lideri i ardhshëm i Europës, pas tërheqjes nga politika të Angela Merkel.
Macron ka mbajtur të ndezura temat kryesore të samitit, ndërkohë që bëri edhe një lëvizje surprizë, duke sjellë në takim një zyrtar të lartë iranian, pa e paralajmëruar diçka të tillë.
Emmanuel Macron ndërkohë është mandatuar nga vendet e G7 për të qenë ai negociatori i marrëveshjes bërthamore me Iranin.
Roel Korkuti / SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.