Lufta tregtare, në luftë valutash – Juani mund të bie me 10% nëse shtohen tarifat
Juani kinez pritet të bie më tej, me 10% kundër dollarit amerikan, nëse Shtetet e Bashkuara vazhdojnë të rrisin tarifat në importet e Kinës. Sipas analistëve, një rënie kritike prej 10% është e mundur, nëse Amerika ndjek kërcënimin për të rritur tarifat ndaj mallrave kinez në 25% deri në fund të këtij viti.
Konflikti tregtar mes 2 ekonomive më të mëdha në botë është përshpejtuar këtë javë, kur Shtetet e Bashkuara vendosën tarifa në 10% ndaj 200 miliardë dollarë mallra kinezë të importit dhe lajmëroi se do t’i rrisë këto tarifa në 25% në datën 1 Janar. Presidenti Donald Trump ka përmendur shpesh suficitin tregtar të Kinës prej 375 miliardë dollarë, si provë e praktikave të padrejta tregtare dhe është përpjekur që ta ngushtojë këtë hendek nëpërmjet tarifave.
Zhvlerësimi me 10% i juanit kinez do të vështirësonte përpjekjet e fundit të Kinës për të stabilizuar valutën. Në fund të muajit Gusht, Banka Qendrore e ekonomisë së dytë më të madhe në botë, deklaroi se nuk do të përdorë juanin si armë në luftën tregtare. Kryeministri kinez, Li Keqiang tha më herët gjatë muajit se rënia e fundit e juanit kundër dollarit amerikan nuk është një vendim i ndërmarrë me qëllim nga Pekini zyrtar. AI tha se dobësimi i juanit do t’i bëjë më shumë dëm vendit.
Klevis Llaha/SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.