Lufta tregtare “prek” valutat – Juani kinez, drejt nivelit më të ulët që prej krizës financiare
Juani kinez tregoi rënien më të keqe ditore në 9 muaj në nisje të javës, ndërkohë që negociatat tregtare me Shtetet e Bashkuara përfunduan me rritjen e tarifave amerikane ndaj mallrave kinezë.
Lëvizjet në valutë ndaj armiqësisë tregtare kanë qenë të limituara, por ditën e Hënë, juani kinez ra me 1% në 6.9040 kundër dollarit, që është niveli më i ulët që prej 27 Dhjetorit.
Analistët thonë se mund të thyejë barrierën e 7 kundër dollarit në muajt e ardhshëm, një nivel që nuk është parë që prej krizës financiare botërore. Kina me shumë mundësi do të përdorë rezervat gjigante në valutë për të ndaluar rënien drejt 7-ës, që mund të shkaktojë spekulime për dalje të mëdha të kapitalit.
Investitorët shtuan blerjet e jenit japonez, që konsiderohet si aktive e sigurt në periudha të stresit, duke marrë parasysh statusin e Japonisë si kreditori më i madh në botë. Jeni u rrit në 109.7 kundër dollarit, duke prekur nivelin më të lartë në 3 muaj.
Dy ekonomitë më të mëdha në botë dështuan të arrijnë në një dakordësi gjatë fundjavës. Washingtoni kërkon ndryshime të ligjeve kineze, ndërsa Pekini është përgjigjur se nuk do të cenojë interesat e veta.
Presidenti Donald Trump dhe homologu kinez, Xi Jinping, pritet të takohen në samitin e G-20 në Japoni në fund të muajit Qershor për të diskutuar tregtinë.
Klevis Llaha /SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.