Lufta tregtare SHBA-Kinë/Trump: ”Jemi pranë marrëveshjes. Po monitorojmë Hong Kongun”
Shtetet e Bashkuara dhe Kina janë pranë arritjes së një marrëveshjeje të fazës së parë në luftën tregtare, sipas presidentit Donald Trump. Trump tha se Washingtoni ndodhet pranë një marrëveshjeje që do t’i japë fund luftës tregtare 16-mujore me Pekinin. Presidenti dha gjithashtu mbështetjen e Washingtonit për protestuesit në Hong Kong, diçka që irriton zyrtarët kinezë. Kina dërgoi ambasadorin në SHBA, Terry Branstad për të kundërshtuar kalimin e Aktit të të Drejtave të Njeriut dhe Demokracisë të Hong Kongut në Kongres, duke thënë se ky ligj përbën ndërhyrje në çështjet e brendshme të Kinës. Trump tha se ka një marrëdhënie shumë të mirë me presidentin Xi Jinping dhe pret që ai të mbështesë një rezultat pozitiv për Hong Kongun, ku partitë pro-demokracisë fituan 90% të 452 vendeve të këshillit gjatë zgjedhjeve.
Ndodhemi në përpjekjet përfundimtare të arritjes së një marrëveshjeje. Mund të jetë një nga paktet më të rëndësishme të tregtisë në histori. Megjithatë, në të njëjtën kohë, ne duam që çdo gjë të shkojë mirë në Hong Kong. Unë mendoj që presidenti kinez mund ta bëjë këtë, sepse e njoh dhe kam marrëdhënie shumë të mirë me të. – theksoi presidenti Donald Trump.
Komentet optimiste të Trump për tregtinë sollën rritje të tregjeve, ndërkohë që të tre indekset kryesore në Wall Street prekën nivele rekord të larta. Deklarata e presidentit amerikan vjen pas një telefonate të përfaqësuesit të Tregtisë Ronert Lighthizer dhe sekretarit të Thesarit, Steven Mnuchin, me zv/Kryeministrin kinez, Liu He. Biseda u publikua nga Ministria e Tregtisë në Kinë dhe tregonte se negociatorët kanë diskutuar për çështjet kryesore që lidhen me arritjen e një marrëveshjeje të fazës së parë.
SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.