Luftë “informalitetit turistik”/Tatimet, letër bizneseve: Rrisni xhiron e deklaruar!
Në nisje të sezonit turistik administrata tatimore u ka dërguar një letër të personalizuar secilit prej subjekteve turistike, duke u kërkuar që të rrisin vetëdeklarimin e xhiros dhe të pagesës së Tatimit mbi Vlerën e Shtuar për të gjithë periudhat tatimore nga muaji Maj deri në muajin Gusht, krahasuar me muajt respektivë të vitit të kaluar.
Përmes letrës së dërguar tek një nga sipërmarrjet turistike, e cila është siguruar nga SCAN, Drejtoria e Përgjithshme e Tatimeve argumenton se nga analiza e treguesve të periudhave tatimore të sezonit turistik të vitit të kaluar, rezulton se të dhënat e vetëdeklaruara për xhiron e realizuar dhe për pagesën e detyrimeve të TVSH-së, nuk janë në nivelet e parashikueshme nga ky institucion.
Sipas letrës, këto të dhëna nuk përfaqësojnë aktivitetin real ekonomik të kryer nga ana e këtij subjekti gjatë sezonit turistik.
Ndërsa më herë, Drejtoria e Përgjithshme e Tatimeve njoftoi se do të nisë një aksion kontrolli në sipërmarrjet që janë në zonat turistike, duke iu bërë thirrje të gjithë bizneseve dhe operatorëve turistikë që të zbatojnë me korrektësi legjislacionin tatimor dhe detyrimet që rrjedhin prej tij.
Elisabeta Dosku/SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.