Luhatja e naftës cënon tranzicionin energjetik – Ministri i naftës në Indi shpreh shqetësim për çmimet tejet të larta
Ministri i naftës në Indi tha se është shqetësuar mbi çmimet e larta dhe se luhatja e tyre mund të pengojë tranzicionin energjetik botëror. Hardeep Singh Puri tha për Reuters në një konferencë të naftës dhe gazit në Abu Dhabi se me arritjen e çmimeve të benzinës dhe naftës drejt një tavani, situata është shqetësuese. India ka qenë në krye të përpjekjeve të Organizatës së Vendeve Eksportuese të Naftës për të siguruar çmim të përgjegjshëm të naftës, që i përshtatet si prodhuesve dhe konsumatorëve.
Ai tha se i takon OPEC dhe aleatëve të drejtuar nga Rusia, nëse do të përshpejtojnë ritmin e rritjes së prodhimit. Puri tha se pavarësisht investimeve të ulëta në sektor, kapaciteti i tepërt i rreth 5 milionë fuçive në ditë është i disponueshëm dhe mund të pompohet në treg për të stabilizuar çmimet, por vendet prodhuese nuk po e bëjnë.
“Këto vendime mbase po i ndërmarrin ngaqë mendojnë se është kohë e mirë për të rikuperuar humbjet e pandemisë”- tha ai, duke shtuar se kur merren vendime për fitime afat-shkurtër, mund të ketë pasoja të tjera. Sipas ministrit, kërkesa për naftë pritet në rënie nëse çmimet kalojnë një pikë të caktuar. Ai tha se prodhuesve i duhet gjithashtu një tranzicion energjitik i rregullt dhe se do cënohen nëse çmimet bëhen shumë të larta.
Klevis Llaha / SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.