Macron flet për 5G dhe Huawei – “Nuk do të etiketojmë firmat. Por na duhet siguri e informacionit”
Presidenti francez, Emmanuel Macron, tha se nuk do të njollosë ndonjë operues individual të telekomunikacionit apo ndonjë vend të caktuar, ndërsa pyetej për rreziqet e mundshme në siguri kombëtare nga Huawei.
Macron foli në një konferencë për shtyp me sekretarin e përgjitshëm të NATO, Jens Stoltenberg. Macron bëri thirrje për kujdes ndaj teknologjisë 5G, duke thënë se shtetet e Bashkimit Europian duhet të reflektojnë mbi pasojat e mundshme të prezantimit të kësaj teknologjie. Sipas tij, duhet siguri mbi informacionin që do ndahet nëpërmjet këtij rrjeti.
Stoltenberg tha se teknologjia 5G do të ndikojë të gjitha aspektet e shoqërive dhe shtoi se siguria e këtyre sistemeve duhet të ketë rëndësi të madhe.
Autoritetet franceze kishin bërë të ditur këtë javë se vendi nuk do të ndjekë Shtetet e Bashkuara dhe të përjashtojnë Huawei nga gjenerata e ardhshme 5G.
Megjithatë, Franca do të ketë fuqinë që të mbikqyrë të gjithë prodhuesit e pajisjeve për ndonjë kërcënim të mundshëm të sigurisë.
SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.