Macron hedh hapin e parë – Prezantohet reforma e punës, publiku e pret me skepticizëm
Qeveria franceze nuk ka humbur aspak kohë, dhe ka prezantuar reformën e re të punës, që është etiketuar nga Emmanuel Macron si prioriteti numër një i presidencës së tij.
Kjo reformë, vlerësohet brenda dhe jashtë vendit si një test kritik për mandatin e presidentit te ri. Reforma në tregun e punës parashikon të lehtësojë procedurat e punësimit dhe pushimit nga puna të punonjësve, referendumet në ambientet e punës si dhe një sërë çështjesh të tjera që kanë për qëllim madhor luftën ndaj papunësisë së lartë.
Kjo është reforma e parë në serinë e atyre që kanë për qëllim të nxisin një ekonomi të përgjumur. Në muajt në vijim pritet të prezantohet edhe reforma e pensioneve dhe ajo e financave publike.
Qeveri të ndryshme, ndër dekada janë munduar që të zhbëjnë disi kodin kompleks të punës në Francë, që aktualisht përbëhet nga plot 3000 faqe. Askush nuk i`a ka dalë dot.
Emmanuel Macron është njeriu i radhës që e provon, por i pari që e ka vendosur si prioritet kyç.
“Kjo është nëna e të gjitha reformave; ne jemi të ndërgjegjshëm për këtë”, deklaroi Bruno le Mair, ministri francez i financave. Opinioni publik ndërkohë duket mjaft i shqetësuar për atë që do të prodhojë kjo reformë.
Roel Korkuti/SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.