Macron i`a pret shkurt Britanisë: “Të paguani nëse doni të mbani aksesin në tregun tonë bankar”
Britania duhet të paguajë në buxhetin e përbashkët të Bashkimit Europian si dhe të pranojë juridiksionin e gjykatave europiane në mënyrë që të ruajë aksesin e plotë në tregun e rajonit pas Brexit, deklaroi presidenti i Francës, Emmanuel Macron.
Këto deklarata, Macron i bëri krah për krah Theresa May, Gjatë samitit Britani-Francë. “Unë nuk jam këtu as për ta dënuar e as për ta përgëzuar Britaninë”, shtoi ai.
Debati mbi mënyrën se si industria bankare dhe financiare e Britanisë do të ketë akses në tregjet europiane pas Brexit duket se do të jetë beteja më e madhe në negociatat për Brexit, si dhe do të përcaktojë të ardhmen e marrëdhënieve mes Brukselit dhe Londrës.
Britania, kërkon që të mbajë sa më shumë që të jetë e mundur marrëveshjet aktuale. Nga ana tjetër, Bashkimi Europian thotë se, Britania nuk mund të përfitojë nga tregu i përbashkët po nuk pranoi të gjitha rregullat e tij.
Shërbimet financiare në tërësinë e tyre, punësojnë plot 2.2 milionë njerëz në Londër, kryeqendrën e financave në botë, duke i dhënë 11% PBB të vendit.
Parisi ndërkohë është duke i bërë thirrje bankave të zhvendosen nga Londra, duke u përpjekur kështu të përfitojë nga Brexit.
Roel Korkuti/SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.