Macron, kritika Gjermanisë: “Suficiti i lartë tregtar po dëmton Eurozonën”
Pretendenti kryesor për të zëvendësuar në detyrë Francois Hollande, Emmanuel Macron deklaroi se, suficiti i madh tregtar i Gjermanisë është i dëmshëm për ekonomitë e zonës së monedhës së përbashkët europiane.
“Gjermania përfiton nga imbalancat brenda Eurozonës dhe korr suficit të madh tregtar”, deklaroi kandidati i qendrës së majtë Emmanuel Macron. “Kjo nuk është diçka e mirë, as për Gjermaninë e as për Eurozonën, kështu që duhet të ketë një ribalancim”, shtoi ai.
Suficiti tregtar i Gjermanisë, që fryhet çdo ditë e më shumë ka ngritur shqetësime të shumta për ekonominë globale. Presidenti amerikan, Donald Trump gjatë fushatës, dhe këshilltari i tij pas marrjes së detyrës e kanë akuzuar drejtpërdrejtë Gjermaninë në lidhje me këtë, duke shtuar se po përfitojnë duke shfrytëzuar një monedhë të nënvlerësuar.
Ekspertët shprehen se, dominimi i Gjermaninë po minon ekonomitë e tjera të Europës. Gjithsesi, Macron u shpreh gjithashtu se, Franca duhet të ndryshojë, duke bërë reforma, në mënyrë që Gjermania të ketë besim te ta. Macron është një ndër kandidatët që hyn në zgjedhje me një platformë pro-europiane.
Roel Korkuti/SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.