Macron shpalos manifestin – “Do të çrrënjosim pabarazinë, shteti jo më aksioner”
Emmanuel Macron, i cili është edhe pretendenti kryesor për të qenë pasardhësi i Francois Hollande, deklaroi se, do të çrrënjosë pabarazinë në sistemin e pensioneve në Francë, do të shesë kuotat e shtetit në kompanitë më të mëdha në vend, si dhe do të ulë numrin e ligjbërësve.
Këto përfshihen në manifestin e lëvizjes së tij, të sapo publikuar, që ka për synim ta ndajë kandidatin nga tradicionalistët.
Macron shkon përpara elektoratit si një kandidat i pavarur i qendrës. Sondazhet tregojnë se, do të jetë ai që do të mundë le Pen në raundin e dytë të zgjedhjeve presidenciale në Francë.
“Shoqëria që unë dua, do të jetë e lirë nga shtrëngimet dhe mbrojtëse e të dobëtëve“, shkruhet në manifestin e Emmanuel Macron.
Reformat e propozuara prej tij pritet të nxisin një debat të gjerë në Francë, në një kohë që vendi po përballet me sfida të shumta, si; papunësia e lartë, rimëkëmbja e dobët ekonomike, pakënaqësia publike, terrorizmi, apo integrimi i komunitetit më të madh mysliman të Europës.
Në një kohë që, qeveria franceze ka vendosur të mbajë historikisht kuota të lartë në kompanitë që kanë kryesisht profil publik, Macron kërkon të shesë asete publike për një vlerë prej 10 miliardë eurosh, të paktën në kompanitë ku shteti nuk gëzon kuota mazhorance. Këto para do të përdoren në një fond të posaçëm për industrinë dhe inovacionin, sipas vizionit të Macron.
Roel Korkuti/SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.