Macron thellon epërsinë – Sondazhet e nxjerrin fitues me 62%, të gjithë kundër Le Pen
Të Premten mbyllet përfundimisht fushata elektorale në Francë, duke i dhënë fund kështu një gare ndër më të egrat në dekada.
Francezët duhet të zgjedhin ditën e Diel, mes populizmit dhe anti-europianizmit, apo vijimësisë së politikave liberale, nëpërmjet një figure të re.
Sondazhet e fundit, të publikuara të Premten, më pak se 48 orë pas debatit të fundit presidencial, tregojnë se, Emmanuel Macron, ka thelluar ndjeshëm epërsinë ndaj rivales së tij.
Këto sondazhe vijnë në një kohë që personazhe të ndryshme kanë bërë thirrje për të mbështetur Macron. Në fillim ishte Yanis Varoufakis ai që i bëri thirrje francezëve të votonin Macron, duke refuzuar kështu Le Pen. Apeli i tij nuk është aspak jo domethënës, pasi ish ministri grek i financave është ndër eksponentët më të rëndësishëm të së majtës ekstreme në Europë, dhe fjala e tij mund të çojë elektoratin e Jean Luc Melenchon të votojë për Macron.
Pas Varoufakis, ishte ish presidenti amerikan, Barack Obama, ai që i bëri thirrje francezëve të mbështesnin Macron.
Sipas sondazheve më të fundit, Macron do të fitojë në raundin final me 62% të votave, kundrejt 38% të Le Pen. Pavarësisht kësaj, tregjet dhe bankat do të jenë në gatishmëri gjatë fundjavës, duke shpresuar të shmangin çdo surprizë të pakëndshme.
Roel Korkuti/SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.