“Made in Prison Albania”/ Nisma interesante e Alma Kordonit
Nga Migena Bushati/SCAN Magazine
Të punosh me gratë e burgut në Tiranë është, sa e vështirë, aq edhe bukur. Ka shumë programe, nisma dhe projekte që ofrohen në bashkëpunim me aktorë të rëndësishëm kombëtarë dhe ndërkombëtarë, e veçanërisht me individë nga shoqëria civile apo shoqata të ndryshme sociale, që duan t’u kujtojnë grave e vajzave të privuara nga liria, se nuk janë vetëm, e se gjithmonë ka një dritë për to, në fund të këtij rrugëtimi.
“Made in Prison” është një ndër këto nisma mjaft interesante, që ka në fokus, jo vetëm përfshirjen e tyre për të punuar por edhe ardhjen në ndihmë, sa i përket aspektit financiar të tyre. Këto produkte mund t’i gjeni dhe t’i blini në këtë adresë në internet: “madeinprison.al”. Ka lindur si ide e Alma Kordonit, e cila është dhe drejtore e organizatës shqiptare “Orkidea.”
Kordoni ka shumë vite eksperiencë në këtë fushë dhe, pikërisht, nga vështirësitë që ka prekur nga afër ndër vite me këto gra, në aspektin e rehabilitimit dhe ri-integrimit ka dalë në konkluzionin se qasja dhe ndërhyrjet duhet të jenë gjithpërfshirëse, që nga shërbimet brenda sistemit penitenciar, e deri tek mbështetja hap pas hapi në ri-integrimin e sukseshëm në shoqëri. “Nga eksperienca ime, shumë prej grave, në mungesë të lirisë, nuk kanë një profesion të mirëfilltë dhe eksperienca të tilla ndikojnë që ato të mos kenë shumë shpresa për një të ardhme më të mirë. Këtu nis edhe ndërhyrja jonë, me punën që bëhet me to brenda sistemit, si në aspektin individual, ashtu edhe profesional. Kjo shoqërohet me gjenerim të ardhurash duke marrë një rëndësi dhe kuptim tjetër” tregon Alma Kordoni.
Si lindi “Made in Prison Albania?”
“Made in Prison Albania” lindi si një nismë e frymëzuar nga vetë gratë dhe vajzat e burgut 325. Shpesh janë realizuar produkte nga ato, që shiteshin në panaire brenda institucionit, por rrallë dilnin jashtë dyerve të burgut. Ne kemi synuar, pikërisht këtë, që produktet të prezantoheshin denjësisht si dhe të përmirësoheshin në cilësinë që kërkon tregu.
Si e pritën gratë e burgosura këtë ide?
Nisma u prit shumë mirë. Ideja që produktet e tyre do prezantoheshin për një publik të gjerë bëri që ato të kishin më shumë përgjegjësi për prodhimin. Fakti që do shiheshin edhe nga familjarët e tyre u prit shumë mirë dhe ishte një motiv i shtuar, sa i përket cilësisë së produktit.
A keni hasur vështirësi fillimisht sa i përket bashkëpunimit me gratë e burgut?
Gratë, në fillim, kanë qënë pak mosbesuese, se nuk ishin shumë të familjarizuara me shitjet në internet, proceset e kodimit, fotografimit dhe përshtatjes së produkteve me kërkesat e tregut, por më pas mendimet e tyre ndryshuan. Ato tashmë janë krenare për produktet e tyre; kanë fituar vetëbesim si dhe ndihen të dobishme për veten dhe familjarët e tyre. Prezantimi dhe shitja e produkteve në mënyrë dinjitoze kontribuon në uljen e paragjykimeve ndaj tyre. – Mamaja ime nuk e dinte që unë mund të prodhoja një çantë kaq të bukur dhe kaq mirë – shprehet një vajzë nga ato që angazhohen në projektin “Made in Prison Albania.”
Si funksionon pjesa e manaxhimit të parave?
Kjo ka qënë sfidë, sepse është pilotuar për herë të parë. Pas publikimit të faqes së internetit kushtuar “Made in Prison Albania” ka patur vlerësim dhe shitje të konsiderueshme të produkteve të tyre, përtej pritshmërive tona. Produktet kalojnë në një proces të mirë-organizuar. Në fillim kodohen, ku çdo grua ka kodin e përgjithshëm të sajin dhe çdo produkt i prodhuar prej saj është pjesë e këtij kodi. Produktet, më pas, inventarizohen, pastaj fotografohen dhe prezantohen denjësisht në portalin e dedikuar si dhe në Instagram. Nga gjenerimi i të ardhurave bëhet shpërndarja e tyre, përmes llogarisë bankare të secilës prej grave dhe vajzave, bazuar në listën e inventarizuar, sipas kodit të produkteve të secilës prej tyre. Të ardhurat i motivojnë shumë gratë dhe vajzat. Në fillim, baza materiale është mbuluar nga shoqata shqiptare “Orkidea”; më pas, për të siguruar qëndrueshmërinë e iniciativës, gratë dhe vajzat, nga gjenerimi i të ardhurave nga shitja e produkteve të tyre kontribuojnë në blerjen e materialeve bazë.
A ka patur nisma mbështetje nga institucionet e larta?
Po, ka patur mbështetje nga ministria e Drejtësisë, e cila, herë pas here, e ka promovuar këtë iniciativë dhe është treguar shumë bashkëpunuese në rregullimin e praktikës ligjore, sa i përket dërgesave të parave në rrugë bankare, tek të gjitha grate, pavarësisht vështirësive që vazhdojnë të jenë prezente me disa nga gratë. Kjo nismë, që në fillimet e saj, ka patur gjithashtu mbështetjen e padiskutueshme nga Drejtoria e Përgjithshme e Burgjeve si dhe Drejtoria e Institucionit të Ekzekutimit të Vendimeve Penale nr 325, Tiranë. Kjo e fundit ka lehtësuar punën e stafit të organizatës dhe ka bashkëpunuar, që të gjitha sfidat të kalohen dhe rikuperohen, duke ofruar zgjidhje praktike dhe në kohë.
Cilat janë produktet që prodhojnë gratë e burgut?
Gratë dhe vajzat përgatisin punime me dorë.Çdo produkt është unik edhe nëse ai porositet, nuk riprodhohet, por rimodifikohet si modeli i preferuar i klientit. Ne kemi synuar edhe riciklimin e produkteve me të cilat jemi përpjekur të prodhojmë produkte të reja, duke synuar edukimin e grave, si fillim, por edhe tregun. Jemi ende në fillimet tona. Gratë dhe vajzat ndihmohen dhe mentorohen nga dizenjatorja, Erinda Veseli, e cila ka dhënë një ndihmesë shumë të çmuar në këtë proces. Ajo i ka ndihmuar ato të përmirësojnë punën e tyre si dhe i ka nxitur drejt produkteve cilësore dhe të përshtatshme për tregun.
Si e shihni këtë bashkëpunim, duke qene se ju vetë keni vite që merreni me gratë e burgut?
Unë kam mbi 10 vjet që punoj në fushën e të drejtave të njeriut, të grave dhe vajzave, e në veçanti, e fokusuar në procesin e riintegrimit të tyre, sepse besoj se të gjithë njerëzit kanë nevojë për një shans të dytë në jetë, pavarësisht vështirësive që kanë kaluar, e ku, shpesh, duke u bërë viktima të rrethanave nga më të dhimbshmet, deri në kufijtë e mbijetesës. Historitë njerëzore të tyre kalojnë kufijtë e imagjinatës, në kuptimin e sfidave me të cilat janë përballur, deri sa kanë arritur të vendosen në një sistem të mbyllur, i cili, jo rrallë ka shumë pak për të ofruar.
Si e parashikoni qendrueshmërinë e këtij projekti?
Qëndrueshmëria e këtij projekti mbetet sfidë. Ne do të vazhdojmë të punojmë, me qëllim që të ngrejmë një praktikë, si dhe të shtrojmë rrugën për ngritjen e një marke biznesi “Made in Prison Albania,” e cila të vazhdojë, por gjetja e fondeve për të vazhduar këtë ide vazhdon dhe mbetet sfidë. Ne nuk duam që “Made in Prison Albania” të kthehet si ato nismat e bukura që nuk kanë të ardhme dhe vdesin shpejt. Shpresojmë dhe kemi shumë besim se do të vazhdojmë ta cojmë përpara këtë nismë, bazuar në pëlqimet dhe fjalët inkurajuese që na vijnë në adresën tonë në Instagram, në postën elektronike, si dhe në numrin e shitjeve që kemi realizuar.
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.