Maduro, i hapur për bisedime – RIA: Pranon ndërmjetësimin e vendeve të treta
Presidenti i Venezuelës, Nicolas Maduro, ka thënë se është gati për të nisur bisedimet me opozitën e vendit dhe se është i hapur ndaj mundësisë së ndërmjetësimit nga vende të treta, sipas agjencisë shtetërore të lajmeve në Rusi, RIA.
Agjencia publikoi komentet e presidentit ndërkohë që lufta për kontroll në Venezuelë ka marrë vrull, pasi Qeveria po përgatitet të nis një hetim që mund të sjellë arrestimin e liderit të opozitës dhe presidentin e përkohshëm të vetëshpallur, Juan Guaido, i cili ka bërë thirrje për protesta të tjera.
Venezuela u zhyt në një krizë politike në javën e kaluar, ndërkohë që Shtetet e Bashkuara njohën Guaido si president, ndërsa Rusia vazhdoi të mbështesë Nicolas Maduro.
“Jam gati të ulem në tavolinën e negociatave me opozitën, që të flasim për përfitimet e Venezuelës, paqen dhe të ardhmen e vendit”, citohej Maduro në agjencinë ruse të lajmeve.
Gjatë intervistës, ndërsa pyetej mbi mundësinë e vendeve të treta që të ndërmjetësohen në situatën politike, Maduro tha se ka disa qeveri dhe organizata në botë, që po shfaqin shqetësim të sinqertë mbi atë që po ndodh në Venezuelë.
Klevis Llaha/SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.