Majko takon diasporën në Turqi – Problemet do të diskutohen me Presidentin dhe Kryeministrin
Ministri i Shtetit për Diasporën, Pandeli Majko, ishte në Turqi në një vizitë zyrtare për të takuar komunitetin shqiptar që jeton atje. Në Qendrën e Kulturës Shqiptare në Ankara i uruan mirëseardhjen Ministrit përfaqësues të shoqatave shqiptare të tilla si, “Vatra” e “Çamëria”, studentë e profesionistë që kishin mbërritur edhe nga qytete të tjera të Turqisë, si Stambolli dhe Izmiri.
Përfaqësuesit e komunitetit e cilësuan vizitën si pikënisjen e një bashkëpunimi të frytshëm me autoritetet shqiptare. Nga ana e tij Majko përgëzoi diasporën në Turqi për punën e bërë deri më tani, në mbrojtje të gjuhës dhe identitetit shqiptar.
“Jemi në hapat e parë të një pune që ka nisur pa ne. Organizimi i shqiptarëve jashtë vendit nuk është një risi; përpjekjet dhe arritjet e tyre janë të jashtëzakonshme. Por ne po mundohemi t’i çojmë përpara këto përpjekje, duke ndërtuar struktura dhe organizma që do të sanksionojnë me ligj marrëdhënien e shtetit shqiptar me diasporën”, u shpreh Ministri.
Majko i njohu përfaqësuesit me punën e bërë për ngritjen e strukturave mbështetëse për diasporën si dhe bashkëpunimin me Kosovën në këtë aspekt. Më tej ai theksoi edhe rëndësinë e veçantë që shqiptarët jashtë vendit po marrin në vend.
“Problemet e diasporës do të diskutohen në prani të Presidentit, Kryeministrit dhe ministrave kryesorë, e kjo është garanci e rëndësisë që do të kenë tani e tutje”, vijoi më tej Majko.
Në qytetin e Izmirit veprojnë 4 shoqata shqiptare, të cilat kanë bërë të mundur ngritjen e një qendre për mësimin e gjuhës shqipe. Diaspora atje është angazhuar për botimin e librave dhe hapjen e kanaleve me programe shqip. Në Qendrën e Kulturës Shqiptare në Ankara, kurset për mësimin e gjuhës zhvillohen dy herë në javë. Struktura frekuentohet edhe nga studentë, të cilët kane krijuar Unionin e Studentëve Shqiptarë në Ankara. Të dhënat sugjerojnë se mbi 1000 studentë shqiptarë gjenden në Turqi.
A.H./SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.