Makinat me kilometrazh zero – Koncensionarët në Shqipëri raportuan vetëm 1200 shitje
Tregu i automjeteve në vendin tonë ndër vite ka mbartur problematika të shumta të lidhura këto me shitjet informale.
Kjo bëri që koncensionartët e makinave në vend të ngrenë me forcë pranë qeverisë në ditët e para të saj, luftë ndaj informalitetit por edhe rishikim të referencave për mjetet e vjetra që hyjnë në vend. Në atë kohë qeveria do të reagonte duke rritur referencat me të paktën 30 për qind çka e bën një makinë të vjetër që vjen nga jashtë më pak të leverdishme për atë që e merr.
Gjithsesi, kjo duket se nuk ka pasur ndonjë impakt të madh në ndryshimin e shifrave. Të dhënat e fundit të raportuara nga Organizata Ndërkombëtare e Prodhuesve të Automjeteve tregojnë se mesatarja ndër vite e shitjes së mjeteve me kilometrazh zero në Shqipëri është 1200. E njëjta shifër mesatare është që nga vitit 2012 e deri në vitin 2016. Nga ana tjetër mesatarja e shitjes së mjeteve të biznesit pra për arsye tregtare është rreth 100 mjete në vit.
Shifrat e raportuara nga ana e Organizatës Ndërkombëtare të Prodhimit të Mjeteve me qendër në Francë mund të mos paraqesin situatën reale të tregut, por gjithsesi reflektojnë fenomenet e çuditshme që janë vënë në dukje disa herë. Një nga arsyet e shifrave modeste lidhet me mungesën e raportimeve të plota nga ana e koncensionarëve, pra jo të gjithë raportojnë shifrat. E dyta lidhet me kontingjentin e atyre që preferojnë që mjetet e shtrenjta t’i marrin direkt nga prodhuesi përmes porosive dhe jo nga koncensionarët.
Së treti lidhet me kulturën e faljes së mjeteve ku shumica e shqiptarëve me një të afërm emigrant preferojnë të zëvendësojnë mjetin me një tjetër që u dërgohet nga jashtë. Së fundmi kjo e lidhur me makinat për qëllime biznesi, ka një tendencë që orientohet drejt qiradhënies së mjeteve dhe jo blerjes së drejtpërdrejtë dhe koncensionarët kanë preferuar të lidhin marrëveshje me institucione publike, por edhe biznese private.
Nertila Maho/SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.