Malësia e Madhe, internet Wi–Fi falas në qendrat e populluara dhe në shkolla
Bashkia e Malësisë së Madhe do të ofrojë internet wireless falas për të gjithë banorët në qytetin e Koplikut. Ky shërbim, përveçse vjen si një lehtësim për qytetarët, është edhe një bonus për turistët që vizitojnë qendrat turistike të Bashkisë.
Bazuar në një analizë të bërë në qytetin e Koplikut dhe në njësitë administrative më të mëdha të këtij qyteti, rezultoi se aksesi në internet i qytetarëve është i kufizuar. Po ashtu rezultoi se kjo Bashki nuk ka ende një sistem për internet Wireless pa pagesë.
Kështu, Bashkia e Malësisë së Madhe ka vënë në dispozicion të ofrimit të këtij shërbimi një fond limit prej 12 milionë lekësh.
Ky shërbim do të ofrohet fillimisht për:
- Bulevardin e Malësisë së Madhe
- Sheshin, rrugën kryesore dhe shkollën “Prek Gjoni” në qendrën Bajzë
- Sheshin dhe shkollën Gruemire në qendrën e Njësisë Administrative Gruemiere
- Shkollën “Sherif Hoxha”
Ky projekt pritet të vihet në zbatim 3 muaj që nga momenti i lidhjes së kontratës me operatorin fitues.
Një nismë e ngjashme është marrë edhe nga Bashkimi Evropian, i cili do të instalojë sistemin internet wireless falas në mijëra qendra urbane dhe rurale.
Genta Dobra/ SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.