Mali i Zi në NATO – Zhvillohet ceremonia e ngritjes së flamurit
Mali i Zi është bërë zyrtarisht anëtari i 29 i NATO-s, aleanca më e madhe ushtarake në botë. Në zyrat e reja të aleancës në Bruksel, është zhvilluar ceremonia për ngritjen e flamurit, në prani të sekretarit të Përgjithshëm të NATO-s, Jens Stoltenberg, Presidentit të Malit të Zi, Filip Vujanoviç dhe kryeministrit, Milo Gjukanoviç.
Në konferencën për mediat, Stoltenberg e quajti një ditë historike, pasi Mali i Zi ka tashmë një vend në tryezën e NATO-s dhe një zë të barabartë në vendimet që merr aleanca. “Vendi juaj e ka fituar pavarësinë vetëm 11 vite më parë, dhe anëtarësimi në NATO do ta forcojë më shumë këtë pavarësi. Dua të përgëzoj qeverinë dhe popullin e Malit të Zi për gjithçka keni arritur dhe do t’ju mbështesim në integrimin euro-atlantik”, deklaroi sekretari i përgjithshëm i NATO-s.
Ndërsa, Presidenti malazez, Filip Vujanoviç tha se, anëtarësimi në NATO do t’i garantojë vendit të tij një të ardhme të qëndrueshme, të sigurt dhe të begatë. Pavarësisht kundërshtive nga Rusia, Mali i Zi u bashkua zyrtarisht të hënën me aleancën, pasi përmbushi edhe formalitetet e fundit mbi anëtarësimin në Uashington.
Mali i Zi ka një ushtri të vogël prej vetëm 2.000 ushtarësh, por si fqinj i Shqipërisë dhe Kroacisë, vendet e fundit që iu bashkuan NATO-s në vitin 2009, edhe ajo ka dalje në detin Adriatik.
Lidion Kulla/SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.