Mallrat e tregtuara, INSTAT: Për 2017-ën, vlera e eksport-importeve arriti 899 mld lekë
Vlera e mallrave të tregtuara përgjatë vitit 2017 arrit në 899 miliardë lekë, ndërkohë që 52.9% e tyre u transportua në det. Shifrat janë bërë publike nga Instituti i Statistikave, i cili ka publikuar të dhënat e transportit për vitin që sapo lamë pas.
Referuar këtyre të dhënave, mallrat e eksportuara me det zënë 62,8%, duke u pasuar nga transporti me rrugë dhe ai me ajër. Po ashtu, të dhënat vjetore tregojnë se mallrat e eksportuara me rrugë u rritën 24,7% dhe me det u rritën 8,4%, krahasuar me një viti më parë.
Ndërkohë, edhe importet janë kryer kryesisht me det, duke zënë 48,6 % të totalit. Më pas renditet importi me rrugë me 43,8 % dhe ai me ajër me 2,9 %. Ajo që bie në sy është dyfishimi i mallrave të importuara me hekurudhë, në krahasim me një vit më parë.
Ndërkaq, sa i takon sasisë, me ajër janë transportuar 2.266 ton mallra, duke u rritur 3,0 %, krahasuar me vitin 2016. Rritje të ndjeshme pësoi edhe volumi i mallrave të transportuara me hekurudhë, ku në krahasim me një vit më parë u transportuan 83.4% më tepër.
Ndryshe nga mallrat, transportin e udhëtarëve e kryesojnë fluturimet, me 62.6% të totalit. Numri i pasagjerëve që kanë udhëtuar me linja ajrore, në vitin e 2017 është 2.630.338, duke u rritur me 19,8 %, krahasuar me vitin 2016.
Ola Mitre/SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.