Mallrat që thelluan deficitin tregtar – Në 9 muaj, rritje e kërkesës në pothuajse çdo grup mallrash
Nga fillimi i vitit deri në Shtator, Shqipëria importoi rreth 453 miliardë lekë mallra, 28.7 miliardë më shumë se e njëjta periudhë e një viti më parë. As rritja e eksporteve nuk e tejkaloi dot zgjerimin e këtij drejtimi të tregtisë, ndaj për rrjedhojë deficiti tregtar u shtua me mbi 5 miliardë lekë.
Nëse analizojmë mallrat e importuar sipas grupeve, do të shohim se kërkesa ka qenë në rritje për të gjithë kategoritë, me përjashtim të grupit “Materiale ndërtimi dhe metale”.
Rritja më e madhe e kërkesës nga viti në vit ka ardhur për grupin “Minerale, lëndë djegëse, energji elektrike”, me 22.8%.
Shtimi i importit në këtë grup ka ardhur si rrjedhojë e performancës së dobët të sektorit të brendshëm minerar, por edhe për shkak të thatësirave që kanë ulur rendimentin në prodhimin e energjisë. Ky konstatim mbështetet tek një shtim i theksuar i importit në muajt Korrik dhe Gusht.
Vetëm në 9 muaj, importet këtu shënuan rritje me 8.3 miliardë lekë, ndaj ky grup mund të quhet përgjegjësi kryesor për thellimin e deficitit tregtar.
Një rritje e importeve është vënë re edhe në grupin “Produkte kimike dhe plastike”, me pothuajse 5 miliardë lekë vlerë më shumë. Kjo shënon një rritje vjetore me 8.3%, ndërsa grupi renditet i treti për nga pesha në importe.
Të vetmet grupe ku Shqipëria importon më shumë në vlerë mallrash janë ai “Ushqime, pije, duhan” dhe “Makineri, pajisje dhe pjesë këmbimi”. Të dy këto grupe janë rritur përkatësisht me 5.8% dhe 2.5%. Por pavarësisht rritjes së vogël në dukje në terma përqindjeje, ajo përkthehet në një rritje importi në vlera përkatësisht 4.3 miliardë lekë dhe 2.3 miliardë lekë.
Ndërkohë, i vetmi grupim mallrash ku Shqipëria eksporton më tepër se sa importon vijon të mbetet grupi “Tekstile dhe këpucë”, i cili i vetëm ka kontribuar në 9 muaj me përmirësimin e bilancit me 2 miliardë lekë.
Angelo Haruni/SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.