Mamografia ofrohet edhe në Dibër, Manastirliu: 4.5 mln euro për spitalet rajonale
Shërbimi i mamografisë për diagnostikimin e hershëm të kancerit të gjirit për gratë ofrohet për herë të parë në spitalin rajonal të Dibrës, me instalimin e aparaturës së re të mamografisë në këtë spital.
“Mamografia vendoset për herë të parë, grafia e re sapo është instaluar dhe një sërë pajisjesh të tjera si eko, inkubatorë etj. me vlerë rreth 280 mijë euro që po instalohen në spitalin rajonal të Dibrës, përmirësojnë ndjeshëm diagnostikimin e sëmundjeve, duke bërë që shumë shërbime që pacientët detyroheshin t’i merrnin në Tiranë, sot mund t’i marrin afër vendbanimit të tyre”, tha Ministrja Manastirliu.
Manastirliu tha se investimet në aparatura të teknologjisë së lartë po realizohen në çdo spital rajonal.
“Kemi nisur tashmë programin tonë për fuqizimin e spitaleve rajonale ku po investohen vetëm për aparatura të reja biomjekësore 4.5 milion euro që padyshim përmirësojnë dhe zgjerojnë shërbimet për qytetarët”.
13 mjekë me bonus po ofrojnë aktualisht shërbim në spitalet rajonale, si në Korçë, Gjirokastër, Kukës, Dibër, Berat, etj.
17 mjekë të rinj që sapo janë specializuar janë punësuar gjatë muajit të fundit në spitalet rajonale.
Me programin e patronazhit, 5780 pacientë kanë kryer vizita të specializuara apo intervente kirurgjikale në spitalet rajonale nga mjekët e spitaleve të Tiranës.
E.Z/SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.