Manaxhimi i bregdetit/ Në mars lidhen kontratat 5-vjeçare. Nisin bisedimet me krerët e bashkive
Në mars të vitit të ardhshëm, Ministria e Turizmit dhe Mjedisit do të lidh kontrata 5 vjeçare me njësitë vendore, për manaxhimin e vijës bregdetare. Ndryshe nga një vit më parë, këtë herë bisedimet mes bashkive dhe ministrisë do të nisin më herët për të marrë masa paraprake në realizimin e një skemë jo vetëm në kohën e duhur por edhe të suksesshme. Ky manaxhim bëhEt për një dallim të qartë të plazhit publik dhe atij privat në ndarjen e territoreve duke i ofruar kështu biznesit që zhvillon aktivitetin e tij në bregdet, sigurinë gjatë sezonit veror dhe shmangien e përplasjeve për hapsirat e zëna në kundërshtim me ligjin.
Kjo skemë u zbatua edhe gjatë verës së këtij viti dhe që sipas Ministrit, Blendi Klosi, ka rezultuar e sukseshme pavarësisht vështirësive të tjera që solli pandemia për sektorin. Ky proces do të monitorohet nga Agjencia Kombëtare e Bregdetit në varësi të Ministrisë së Turizmit dhe Mjedisit, që është edhe institucioni që ka hartuar një draft për “menaxhimin e integruar të bregdetit”. Po ashtu Agjencia ka të drejtë të vendosë gjoba për organet shtetërore, qendrore dhe vendore që janë në kundërshtim me draftin në të cilin ende nuk janë përcaktuar vlerat e masave administrative.
Nertila Doko / SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.