Mandati 2017-2021, Ahmetaj: Konsolidim të stabilitetit makro-ekonomik
Një nga prioritetet e qeverisë së re në katër vitet e ardhshme është konsolidimi i stabilitetit makro-ekonomik, tha ministri i Financave dhe Ekonomisë dhe Punës Arben Ahmetaj.
“Gjatë mandatit 2017-2021 ne angazhohemi me prioritet në konsolidimin e stabilitetit makro-ekonomik, me uljen e borxhit, rritjen e punësimit, zhvillimin e infrastrukturës, sektorin energjetik e minerar, bujqësinë, agroindustrinë dhe turizmin. Katër vitet e ardhshme do të hapet një kapitull i ri për perspektivën europiane të Shqipërisë dhe shqiptarëve. Kryefjala e programin, është rritja e qëndrueshme e ekonomisë të qëndrueshme dhe punësimit në të mirë të gjithë shqiptarëve. Beteja pa kompromis kundër informalitetit do të kthehet një histori suksesi, transformim i shërbimeve për shqiptarët, përmes një reforme të thellë deregulimi, do të ndryshojë tërësisht profilin e shtetit, duke garantuar uljen drastike të peshës së burokracisë shtetërore, e duke lehtësuar klimën e biznesit në favor të investimeve të huaja dhe atyre vendaseve”.
Sipas Ahmetaj në programin e ri parashikohet edhe ulja e papunësisë në nivele njëshifrore.
“INSTAT ka nxjerr dje statistikat e papunësisë në 13.9. Ulja e papunësisë po vazhdon, në programin tonë të qeverisë në kemi parashikuar uljen e papunësisë në nivele një shifrore ,të detajuara, të mbështetura në analiza sektoriale dhe në analiza makro-ekonomike. Kjo do të synojnë rritjen e kapaciteteve prodhuese dhe përpunuese në sektorin industrial në Shqipëri, përqendrimi i vëmendjes drejt rritjes së nivelit drejt industrializimit të lehtë të atij biznesi të vogël dhe të mesëm prodhues dhe eksportues, përbën një në prioritetet tona të qeverisjes 2017-2021”.
Për të gjitha kompanitë që prodhojnë në teknologji, do të ketë një ulje në tatim – fitim.
“Në programin tonë ka ulje në 5 për qind të tatim fitimit për kompanitë që prodhojnë në teknologji. Nëpërmjet këtij programi ne synojmë një rritje mesatare ekonomike rreth 4.5 për qind, për të arritur në 5.5 për qind në fund të mandatit”.
Kreu i Financave u ndal edhe te mandati i shkuar, ku përmendi disa arritje.
“Pas 4 vjetësh Shqipëria ka një rritje ekonomike e cila është pothuajse 4 herë nga ajo që gjetëm në 2013, me një rritje ekonomike më të lartë në rajon. Në mandatin e parë, Ishte një mandate që ulën taksat. Taksa zero për biznesin e vogël, janë 116 mijë biznese që kanë taksën zero. Janë gati 423 mijë biznese qytetaret që përfituan nga taksa jonë progresive. Për herë të parë në 23 vite, kjo është një qeveri që e përmbylli mandatin e saj me suficit primar, hera e parë që një vit elektoral rriten të ardhurat dhe ulet borxhi”.
E.Z/SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.